Jozefina Topalli, drejtuese politike e PD-së për diasporën, gjatë një takimi me shqiptarët në Gjermani, tha se në 11 janar 2025 nis një proces historik për diasporën shqiptare, regjistrimi i emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Topalli tha se kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbni, një e drejtë që i kemi pritur prej vitesh.
“Mos lejoni që mundësia e ndryshimit të humbasë. Vota juaj është një akt dashurie për atdheun, një shenjë se gjithmonë mund të jemi bashkë për një Shqipëri më të mirë. Shqipëria ka nevojë për ju – sot më shumë se kurrë.
Dilni dhe votoni! Për të ardhmen e vendit që mbani në zemër!”, tha Topalli.
Ajo iu drejtua me një apel shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e ndryshimit. “Vota juaj ka rëndësi dhe është zëri juaj që mund të sjellë një Shqipëri më të drejtë, një Shqipëri ku të gjithë ne besojmë dhe shpresojmë. Ju nuk jeni thjesht spektatorë; ju jeni pjesë e historisë dhe forcës që mund ta çojë përpara vendin tonë”, theksoi Topalli.
“Mos e lini vendimin për të ardhmen në duar të të tjerëve. Niseni këtë rrugëtim duke u regjistruar dhe duke treguar se diaspora shqiptare ka një rol të pashlyeshëm në të ardhmen e Shqipërisë!”, u shpreh Topalli.
Drejtuesja Politike e PD-së për Diasporën ishte në Lörrach, Gjermani, ndërsa prej disa javësh po zhvillon takime në shtete të ndryshme me shqiptarët në kuadër të fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.