Partizani ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së premtes kundër Vllaznisë në stadiumin “Arena e Demave” në orën 17:00. Ekipi i kuq ka zbarkuar në stërvitje fillimisht për rikuperimin e energjive të humbura e më pas për planin e sfidës së radhës, shumë e fortë dhe e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës, duke u nisur nga fakti se nuk fiton prej katër ndeshjesh radhazi.

Edhe në këtë sfidë paralajmërohen mungesa, teksa të sigurta janë ato të Hadrojt dhe Kotes. Pukjani ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së parë dhe aventura e tij me Partizanin është mbyllur tashmë, sepse në fund të muajit kalon në Ukrainë.

Kote ka pësuar një frakturë në gishtin e këmbës dhe po rikuperohet. Pritet të kthehet vetëm në janar. Sakaq, pritet rikthimi i Marçelino Prekës, i cili po hedh pas problemet me gjendjen gripale dhe do të intensifikojë gradualisht ritmin në stërvitje.

Nga ana tjetër, në dyshim mbetet Arinaldo Rrapaj, i cili ka një problem në kavilje dhe nuk ia doli të rikuperohet në ndeshjen e fundit. Ashtu si Hadroj, edhe vlonjati do të transferohet në Ukrainë në merkaton e radhës. Pjesa tjetër e ekipit janë të gjithë të gatshëm dhe në dispozicion të Veselinoviç.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb