Barazimi në kryeqytet përballë Partizanit shihet me nota optimiste në Elbasan, duke ditur se kë skuadër kishin përballë dhe problemet me rezultatet përgjatë javëve të fundit në kampionat. Një pikë që ndoshta nuk i vlen shumë sa i përket renditjes, sepse largohet edhe më shumë me zonën “Final 4”, por është një ogur i mirë për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, i cili merr njëkohësisht edhe të parin rezultat pozitiv në krye të pankinës elbasanase.
Me pak më shumë kohë në dispozicion sesa në ndeshjen e kaluar ndaj Vllaznisë, serbi ndryshoi skemën dhe u përpoq që skuadra të zbatonte idetë e tij në fushën e lojës. Në fund, doli me një pikë shprese nga kryeqyteti, duke i dhënë mundësi verdhebluve të ruajnë edhe vendin e pestë, edhe pse me pikë të barabarta me Teutën. Në fakt, prej shumë javësh elbasanasit duket se e kanë “salduar” këtë pozicion, që në momentin kur ranë poshtë zonës “Final 4”.
MERKATO – Elbasani ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë me Skënderbeun në transfertë dhe më pas si të gjitha ekipet e tjera merr pushimet dhe mban shpresat te merkato për të përforcuar grupin. Mësohet se elbasanasit do të synojnë me çdo kusht të bëjnë afrime në muajin janar, brenda mundësive që të lejon ky sesion, sepse dihet që opsionet nuk janë të shumta. Dëmtimet e shpeshta dhe mungesat e shumta për këtë arsye, por edhe çedimi i disa futbollistëve, ka bërë që drejtuesit të mendojnë seriozisht për t’i vënë në dispozicion një grup cilësor dhe sa më të plotë Gvozdenoviçit.
Burime të “Panorama Sport” pranë kampit verdheblu pohojnë se po shihet aktualisht për tre lojtarë të roleve të ndryshme: qendërmbrojtës, mesfushor dhe një sulmues. Në të tria këto role ekipi ka çaluar, sidomos në fazën e sulmit ku i mungon një lojtar që të nxjerrë skuadrën nga situata.
Momentalisht është duke u parë pista e huaj, sepse në tregun shqiptar është gati e pamundur të gjesh lojtarë të lirë në janar dhe që për më tepër t’i bëjnë punë një ekipi që pret të bëjë një kthesë në pjesën e dytë të kampionatit. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t’u parë sesa do të jenë në gjendje drejtuesit të gjejnë lojtarët që i duhet Gvozdenoviç për të vënë në zbatim idetë e tij rreth ekipit. Në të kundërt do të përpiqet të kapin maksimumin e mundshëm me grupin që do të ketë në dispozicion.