Ndeshja e kësaj jave që mbyll edhe vitin është speciale për trajnerin e Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç. Serbi rikthehet për herë të parë të përballet ndaj ish-skuadrës së tij, Skënderbeut. Si lojtar dhe më pas si trajner, Gvozdenoviç la pas shumë kujtime pozitive tek korçarët, por tani synon të marrë fitoren e parë në stolin e Elbasanit.

Serbi dha dorëheqjen nga pankina e korçarëve pas humbjes në Laç, por pak ditë më pas iu bashkua verdhebluve, pas dorëheqjes së Roberto Bordin. Fati e deshi që brenda pak ditësh Gvozdenoviç të rikthehet sërish në Korçë, por kësaj here si kundërshtar. Ndeshja mes Skënderbeut dhe Elbasanit do të luhet të shtunën në orën 16:30 në stadiumin e Korçës.

Java që sapo lamë pas ka qenë pozitive për Elbasanin sa i përket ndëshkimeve dhe mungesave për arsye kartonësh. Për fat të mirë, Ivan Gvozdenoviç nuk do të ketë asnjë lojtar që do t’i mungojë për arsye dënimesh dhe nga ky aspekt do të jetë i qetë. Sakaq, ai shpreson që në këtë ndeshje të fundit të vitit, të rikuperojë edhe ndonjë nga lojtarët e dëmtuar.

Aktualisht Bruno Telushi dhe Edon Hasani janë dy prej dëmtimeve që i prishin jo pak punë, sepse bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, i gëzohet rikthimit të sulmuesit Ze Gomesh që luajti edhe ndaj Partizanit, si edhe të kapitenit Bruno Lulaj që u aktivizua gjithashtu në pjesën e dytë ndaj të kuqve. Elbasani është një ndër skuadrat që ka vuajtur më shumë nga dëmtimet, duke mos e pasur asnjëherë të plotë të gjithë grupin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb