Gazetarja Klodiana Lala ka kritikuar ashpër shoqërinë shqiptare, duke e cilësuar atë si një shoqëri që shkatërron, në vend që të mbështesë. Ajo theksoi se “morëm një artiste dhe e shkatërruam totalisht,” duke iu referuar rastit të këngëtares Parashqevi Simaku.
Lala tha: “Ne jemi shoqëria që morëm një artiste dhe e shkatërruam. Jemi shoqëria e gjirizeve, që po i rrëshqet këmba njërit, e vdesim.”
Sa i takon mënyrës së reagimit të madh që solli rishfaqja e Simakut, si një e pastrehë në SHBA dhe mënyrës sesi u trajtua, Lala tha se “nëse duam të flasim për Parashqevi Simakun, duhet ta nisim nga dosjet e sigurimit të shtetit, jo nga bishti”.
Lala shtoi se shoqëria ka tendencën të marrë një moment të caktuar dhe për arsye të ndryshme, ta lartësojë dikë për ta shkatërruar pastaj. Ajo u shpreh se ky debat është shumë i gjerë, duke përfshirë trajtimin e artistëve nga Sigurimi i Shtetit, ngjitjen e Parashqevi Simakut dhe pasojat që ka pasur për artistët e tjerë.
“Duhet të hapen dosjet e komunizmit. Nuk mund të shihet vetëm fundi i dikujt dhe ta përdorim atë si mish për top, për klikime apo për interesa të ndryshme,” tha ajo.
Lala theksoi se historia e Parashqevi Simakut fillon shumë herët, që nga vitet ’80, kur disa vajza të talentuara filluan të këndonin dhe u përballën me mekanizmat e Sigurimit të Shtetit dhe vështirësitë për t’u larguar nga Shqipëria. Sipas saj, situata nuk mund të shikohet vetëm nga një këndvështrim ngushtësisht negativ.
Në fund, Lala sugjeroi se nëse dikush do të kishte dashur ta ndihmonte Simakun, mund ta kishte bërë këtë në mënyrë diskrete, duke i zbukuruar jetën, dhe jo duke e shfrytëzuar për interesa të tjera.