Kosova dhe Serbia janë dakorduar të martën në Bruksel për termat e referencës për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Sa i përket Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, Kosova ka theksuar nënshkrimin dhe zbatimin në tërësi të tyre.

“Nga ana tjetër shtoi se Serbia vazhdon të mos e pranojë të njëjtën dhe ta mohojë atë duke mos bërë asnjë hap drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes”, thuhet në komunikatë.

Përveç këtyre temave, në takimin mes kryenegociatorëve janë diskutuar edhe tema të tjera.

Liria e lëvizjes, energjia e çështja e targave janë disa nga temat për të cilat është folur në dialog.

“Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, raporton Paparaci.

Emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.

“Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit. Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb