Mazhoranca socialiste miratoi dje në komisionet parlamentare vetëm me votat e saj projektligjin për anulimin e të gjitha gjobave të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale, për sa i takon masave administrative nga IMT, IKMT, AKU dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës se Shqipërisë. Demokratët e kundërshtuan draftin dhe e konsideruan atë si karamele elektorale nga ana e mazhorancës.
Por PD shkon përtej propozimeve të socialistëve në projektligjin për faljen e gjobave. Opozita propozon anulimin e të gjitha detyrimeve të prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
Një tjetër propozim i demokatëve është dhe ai për faljen e gjobave së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
PD kërkon edhe anulimin e të gjitha masave administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Grupi parlamentar i PD ka propozuar që gjobat të hiqen për të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në zonat rurale.
Propozimi i PD:
1- Të anullohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqiuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
2- Të anullohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
3- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
4- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD argumenton që në kuadër të parimit të barazisë përpara ligjit të gjithë personave fizikë dhe juridikë që do të ishin subjekt përfitues sipas ligjit nëse nuk do të kishin kryer ekzekutimin e masave administrative përpara hyrjes në fuqi të tij, në bazë të parimit iu kthehen shumat e paguara dhe kthimi i shumave të bëhet nga institucionet e ngarkuara me zbatimin e këtij ligji brenda datës 31 janar 2025.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë qenë gjithnjë kundër qasjes arrogante dhe arbitrare të qeverisë socialiste për të ndëshkuar qytetarët dhe bizneset me gjoba të larta apo masa të tjera administrative, përpara kryerjes së të gjithë përpjekjeve për informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga ligji dhe sanksionet në rast moszbatimi të ligjit.
Megjithatë, qeveria socialiste ka vazhduar të ndëshkojë qytetarët me gjoba dhe penalitete të larta, të cilat në raste të caktuara kanë rezultuar me pasoja shumë të rënda për qytetarët tanë, të cilat në pamundësi për shlyerjen e detyrimeve, kanë konsumuar veprime që kanë përfunduar në burg ose më fatalet i kanë dhënë fund jetës së tyre.
(BalkanWeb)