Vllaznia është rikthyer ditën e djeshme në stërvitje për të nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Partizanit. Ky duel do të luhet ditën e premte në orën 19:00, në stadiumin “Arena e Demave” dhe do të mbyllë vitin 2024 për kuqeblutë.
Mungesat në seancën stërvitore kanë qenë të shumta te skuadra e Brdariç. Në një situatë kur dëmtimet janë të shumta, një tjetër problem duket se i shtohet kuqebluve dhe ai është Kristi Qarri. Portieri u dëmtua në fund në ndeshjen kundër Laçit dhe pavarësisht se nuk u zëvendësua, lëndimi i tij mësohet të jetë serioz. Gardiani i kuqebluve duket se do të jetë mungesa e radhës te Vllaznia.
Gjendja fizike e 24- vjeçarit duket më e rënduar edhe se ajo e Spahijas dhe Deliut. Të dy futbollistë që gjithashtu u dëmtuan kundër Laçit dhe do të mungojnë kundër Partizanit. Në duelin ndaj të kuqve, portën e kuqebluve pritet ta mbrojë Aron Jukaj, i cili debutoi në sezonin 2022-2023 me shkodranët duke zhvilluar 2 ndeshje në kampionat. Gjithashtu, emra si Gurishta, Gruda dhe Matuti dihet prej disa javësh që e kanë mbyllur vitin 2024.
Dyshja e mbrojtësve Juriç-Stojanoviç nuk pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj “demave” në javën e 19-të të Superiores. Po ashtu, as Qato dhe Jago nuk japin optimizëm për një rikthim të shpejtë, me dyshen që pritet të kthehet në stërvitje në fillimin e vitit 2025. Shkodranët vijnë në transfertën kundër Partizanit në emergjencë të plotë me plot 10 mungesa, çka përbën një precedent më vete