E prekur dhe në gjendje shumë të keqe emocionale është shfaqur në protestën e mbajtur para Ministrisë së Arsimit, Florina Cani, e cila rreth një muaj më parë humbi të birin, Martin Cani, në ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet.

Ajo ka kërkuar drejtësi për vrasjen e të birit, ndërsa nuk ka harruar Luis Meçen, shokun e Martinit që u plagos dhe tashmë po merr ndihmë mjekësore jashtë vendit.

Florina këmbënguli në dorëheqjen e kujtdo që ka përgjegjësi mbi ngjarjen, ndërsa shtoi se nuk ka frikë nga askush dhe asgjë.

“Bëja pa fund biseda për të, i thoja Martin kujdes biri im sepse ka shumë njerëz që nuk duhet tua kesh besën. Ende nuk e di përse ndodhi kjo, fëmija im nuk ishte agresiv, e kam rritur me shumë dashuri.
Zgjodha të punoja 4 orë që ta rrisja e të isha pranë.
Pse nuk dalin e të thonë një fjalë, ka 30 ditë që qaj e rënkoj. Nuk di çfarë të bëj. Kërkoj dorëheqje të na qetësohet pak shpirti. Po na vrasin çdo ditë e më shumë.

Nuk kam më frikë për askënd e asgjë, le të më vrasin këtu, unë kërkoj drejtësi!”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb