Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, është deklaruar fajtor të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.

Këtë deklarim ai e bëri në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet.

Kjo prokurori e akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin.

“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala në Gjykatë, aktakuza e të cilit ishte konfirmuar pas rishikimit më 10 korrik 2024.

Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim deri me tri vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Në rast se paneli gjyqësor pranon këtë marrëveshje të palëve dhe në rast se dënimi për Shalën do të jetë tre vjet burgim ose më i ulët, palët nuk do të kenë të drejtë apelimi.

“Sa më i ulët dënimi, aq më mirë”, tha po ashtu Shala gjatë deklarimit të tij në gjykatë.

Shala po ashtu u pajtua edhe me pika të tjera të marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe deklaroi se e ka arritur atë “me vullnet të lirë dhe pa detyrim”.

Gjykata është paraparë që më vonë gjatë ditës të shqyrtojë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë së Sabit Januzit.

Sa i përket marrëveshjes së pranimit të fajësisë për Ismet Bahtijarin, ajo ende nuk është bërë publike dhe pritet të shqyrtohet në një seancë më 19 dhjetor.

Çfarë thotë marrëveshja për pranimin e fajësisë së Haxhi Shalës?
Brenda marrëveshjes së Shalës thuhet se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar.

Tutje, sipas marrëveshjes, thuhet se pjesëtarë të grupit bënë vizita në shtëpinë e dëshmitarit dhe iu ofruan benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij.

Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës

Deri më tani, nuk është bërë publike se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka dëshmuar ai.

Paraprakisht, Shala ishte deklaruar i pafajshëm në këtë akuzë, e cila u konfirmua më 4 dhjetor 2023.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb