Dihet që Egnatia e këtij viti vështirë të krahasohet me atë të sezonit të kaluar, ku rrogozhinasit fituan dy trofetë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, kupën dhe kampionatin, duke dominuar nga fillimi deri në fund.

Edhe këtë vit synimet janë të njëjta, me apo pa shkëlqim presidenca kërkon patjetër të çojë të tjerë trofe në shtëpi. Për këtë arsye, drejtuesit u munduan që në merkaton e verës të bënin një skuadër sërish kompetitive dhe kompensuan sadopak edhe largimet që ndodhën nga kampionët e Shqipërisë. Në një farë mënyre, afrimet e merkatos kanë nisur të lënë shenjë në skuadrën e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, që duket se po përshtaten me lojën e Egnatias. Madje, sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport” për këto dy faza të para, golat e rrogozhinasve më së shumti kanë ardhur nga merkatoja dhe janë ata që e kanë shpëtuar në shumë raste skuadrën.

TË AFRUARIT – Egnatia këtë kampionat ka shënuar 22 gola në 18 javë, praktikisht diçka më shumë se një gol për ndeshje. Nga të dhënat, janë pikërisht afrimet ata që janë treguar më efikasë, duke e krahasur me ata që kanë qenë pjesë e skuadrës më herët. Deri diku ka edhe një logjikë brenda, sepse pjesa më e madhe e të afruarve kanë ardhur në repartin e sulmit dhe ata kanë pasur detyrën për të shënuar. Kështu, lojtarët e merkatos kanë realizuar së bashku 13 gola dhe bëhet fjalë për pesë lojtarë të ndryshëm. I prin sigurisht Regi Lushkja me gjashtë rrjeta, që është njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Për të vijuar më pas me Soumalia Bakajokon, Serxho Ujkën dhe Dardan Vuthajn me nga dy gola, edhe pse ky i fundit është larguar zyrtarisht. Një rrjetë e ka bërë edhe Muhamed Jahaja.

PJESA TJETËR – Nga lojtarët që kanë qenë pjesë e ekipit nuk bëhet fjalë për ndonjë që ka spikatur mbi të tjerët, ndërsa kanë shënuar gjashtë lojtarë gjithsej. Nga një dopietë kanë realizuar Arbin Zejnullai, Edison Ndreca dhe Alesandro Ahmetaj. Sakaq, nga një herë e kanë gjetur rrugën e rrjetës edhe Arbenit Xhemajli, Abdurraman Fangaj dhe Xhoel Doukouo. Bëhet fjalë për nëntë gola në total që kanë ardhur nga këmbët e futbollistëve që kanë qenë pjesë e rrogozhinasve që sezonin e kaluar.

94

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb