Një turk, i konsideruar si bos i krimit dhe që është dënuar me 16 vjet burg si një nga tregtarët më të mëdhenj të drogës në Britani, ka fituar betejën e tij ligjore kundër dëbimit.

Ai fitoi të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi dëbimi i shkelte të drejtën njerëzore për një jetë familjare, edhe pse ai kishte një lidhje jashtëmartesore me një grua në Turqi, me të cilën ai u martua për të “ruajtur nderin e saj”.

Bosi 70-vjeçar i drogës, të cilit iu dha anonimiteti, pohoi gjithashtu se si kurd alevi do të persekutohej nëse do të dëbohej në Turqi. Gjykatës së imigracionit iu tha se ai ishte kthyer në atdheun e tij 8 herë që kur kishte mbërritur në Britani pa u përballur me ndonjë persekutim.

Pretendimi i burrit për të qëndruar në MB u mbështet nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët, pavarësisht se Zyra e Brendshme tha se ai ishte një “rrezik për komunitetin” dhe se prania e tij e vazhdueshme në MB “nuk ishte e favorshme për të mirën publike” për shkak të historisë së tij kriminale.

Gjykatës iu tha se ai ishte kreu i një bande të krimit të organizuar, përgjegjëse në atë kohë, për 90% të tregtisë së heroinës në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjyqtarët e imigracionit mbështetën pretendimin e tij dhe hodhën poshtë një Apel nga Zyra e Brendshme kundër qëndrimit të tij në MB. Ata vendosën se kjo do të shkelte të drejtën e tij për një jetë familjare bazuar në nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe se ekzistonte rreziku i persekutimit të tij si kurd.

Tribunalit iu tha se ai ishte një personazh “i reformuar”, se gruaja e tij i kishte qëndruar pranë për këtë çështje dhe se dëbimi i tij do të përçante familjen pasi ajo nuk do të mund të shkonte në Turqi me të.

Burri hyri në Mbretërinë e Bashkuar në maj 1988 dhe kërkoi azil. Ai u deportua pas katër ditësh, por u kthye në korrik 1991 në mënyrë që kërkesa e tij të mund të shqyrtohej. Ai u refuzua në mars 1993, por atij iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar dhe pas një Apeli iu dha statusi i refugjatit. Atij iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar në vitin 1997.

Megjithatë, në vitin 2004, ai u burgos për 16 vjet për trafikun e heroinës. Pas lirimit me kusht në vitin 2014, ai u akuzua dy herë për sulme të dhunshme, por u lirua.

Gjatë vizitave në Turqi në 2001 dhe 2002 ai “pati një lidhje” me një grua turke. Ai mori pjesë në një ceremoni tradicionale martese për të ruajtur nderin e familjes së saj, por tha se “nuk ishte një marrëdhënie serioze”.

Tribunalit iu tha se “gruaja e tij në Mbretërinë e Bashkuar e zbuloi martesën në Turqi në gjyqin e tij penal, por pretendoi se e kishte falur dhe ata rifilluan qartë bashkëjetesën pas lirimit të tij nga burgu”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb