Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, ndërsa sipas raportimeve paraprake dy persona kanë mbetur të plagosur. Mësohet se të plagosurit janë identifikuar si 30-vjeçari Kejvin Hajrulla dhe Armand Spahiu, 35 vjeç, shitës i një dyqani aty pranë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Çole” të qytetit bregdetar, ndërsa policia ka rrethuar vendngjarjen menjëherë pas rastit.
Sakaq, raportohet se pas të shtënave policia ka zbuluar një automjet duke u djegur në autostradën Vlorë-Fier, i cili besohet se u përkiste autorëve.
30-vjeçari Kejvin Hajrulla mësohet se ka qenë objektiv i atentatit, ndërsa Armand Spahiu, 35 vjeç, është plagosur aksidentalisht.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/ Informacion paraprak
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
(BalkanWeb)