Gazetari i News24, Enrik Mehmeti ka qenë në fshatin Panaja, pranë vendit ku autorët e atentatit në Vlorë, dogjën automjetin tip “KIA” të përdorur në ngjarjen kriminale. Shënjestër e breshërisë së plumbave në lagjen “Cole” ka qenë 30-vjeçari, Kejvin Hajrulla.
Mehmeti raportoi se brenda në automjetin e shkrumbuar krejtësisht nga flakët, janë gjetur dy armë zjarri. Pas këqyrjes paraprake nga grupi hetimor, automjeti i autorëve është transportuar për në komisariatin e Vlorës ku edhe do t’i nënshtrohet ekspertizës për mbledhjen e provave të mundshme të autorëve.
5 pika kontrolli ngriti policia përreth Vlorës, pas ngjarjes së rëndë.
“Kjo është ngjarja e parë e rëndë pas një periudhe të gjatë qetësie në Vlorë. Goditjet e plumbave si pasojë e breshërisë janë të shumta në trupin e 30-vjeçarit. I plagosuri tjetër ka marrë vetëm një plumb dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha Mehmeti.
Pista e hetimeve tha ai janë konfliktet e ditëve të fundit, por edhe përplasjet e vjetra. “Janë disa pista, nuk ka një të vetme. Vendi ku ndodhi ngjarja, në Cole është zonë e njohur si problematike ku vazhdimisht kanë ndodhur ngjarje kriminale në të kaluarën. Prej vitesh ishte në qetësi. Kjo ka bërë që policia që prej mbrëmjes së sotme por pritet edhe në ditët në vazhdim, të ushtrojë kontrolle dhe shtojë masat në qytet. Në Vlorë kur afron sezoni turistik dhe kur vijnë emigrantët për vitin e ri ka patur shpesh herë ngjarje të tilla”, shtoi gazetari.
(BalkanWeb)