Parashqevi!
Ka njerëz që “bezdisen” kur lexojnë postime në lidhje me këtë emër. Unë nuk shqetësohem fare, madje pikërisht për ata, po shkruaj një tjetër.
Dikur si vajzë e kam admiruar Parashqevi Simakun për pamjen plot klas, feminilitetin, bukurinë, veshjen, stilin dhe interpretimin, por kuptoj se paskam njohur shumë pak prej njeriut që është.
Sot e adhuroj për atë që njoha. Në pikën më të ulët që mund të prekë njeriu, ajo ishte aq lart, aq e bukur, e paqtë, e dinjitetshme, krenare, e butë, e ëmbël, e qeshur dhe mirënjohëse për atë që kishte.
Por mbi të gjitha ishte një nënë e betuar se do të priste në vuajtjen e saj, deri në vdekje, atë që i kishin rrëmbyer padrejtësisht, fëmijën!
Parashqevia nuk i bëri keq askujt, nuk shqetësoi askënd, nuk iu ankua njeriu, nuk kërkoi gjë, nuk u përpoq të lëndojë apo gënjejë ndokënd, nuk… nuk… nuk!
Atëherë përse disa njerëz janë kaq të pashpirt? Pse duhet vjelle vrer edhe per kete grua te pafat duke gërmuar për të gjetur diçka që “justifikon” vrerin e tyre?
Por megjithë vrerin dhe argumentat bajate për ta përdhosur figurën e Parashqevisë, nuk mund të pengohem as unë e as askush tjetër të shprehë trishtimin dhe dhimbjen që ndjen, kur sheh të rrënuar një grua të bukur, një nënë të lënduar, një artiste që ka dhënë shpirt, frymë e dritë nga te sajat për ne në kohë të errëta.
Ajo që më tmerron fare dhe më neverit, eshte fakti që disa nga keta vrer-nxjerrësit janë gra. Kjo sepse sharmi dhe aura e Parashqevi Simakut janë aq të forta, sa nuk ka kapuç, shall apo batanije t’i mbajë të padukshme. Por o gra! Xhelozia nuk ju bën më të mira e më të bukura se ajo. Shpirtmirësia ju bën t’i ngjani sadopak asaj!
Dhe nje fjalë për kolegët artistë; me pak perjashtime si Alida Hisku, Myfarete Laze, apo Rita Ndoci, nuk di tjetër të ketë thënë një fjalë solidariteti për Parashqevinë. Disa madje nuk hapin telefonin kur i kërkon të flasin në studio, të tjerë kërkojnë pagesë! Edhe me dhimbjen e saj duan të bëjnë para. Po si ka mundësi? Nuk dua të vetëpërgjigjem, por thjesht them se është TURP!
Parashqevia në ditën e saj më të zezë, qendron shumë lart, duke vërtetuar se fisnik lind, nuk bëhesh nga veshjet firma, ashtu siç nuk mund të zhbëhesh qoftë edhe nëse fle për disa vite në një stacion treni!