Anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arta Mandro tha sot në 5-vjetorin e krijimit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se “çështjet e drejtësisë mbeten ato më të ndjeshmet për një vend, ndërsa qytetarët kanë interes të shtuar për të kuptuar se çfarë ndodh në vend. Kjo jo si kuriozitet, por si një domosdoshmëri për demokracinë në nivelin e shtetit të së drejtës”.

“Ne kemi të bëjmë me çështje të lidhura me nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjithë i kthejnë sytë te Prokuroria e Posaçme, çfarë po bën SPAK, a është qëndrimi i SPAK shprehje e pavarësisë së prokurorëve ndaj ndërhyrjeve të pushteteve të tjera dhe varësisë vetëm nga ligji.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar ngre pyetje për çdo vend, por veçanërisht për Shqipërinë dhe SPAK. Shteti i së drejtës që duam të forcojmë përballet me rreziqe që i paraqiten në mënyrë të dukshme ose jo duke e bërë atë edhe më të brishtë”, tha Mandro.

Anëtarja e KLP-së u shpreh se korrupsioni i zyrtarëve të lartë shfaqet si dhuna në familje, sikurse dhuna gërryen familjen duke çuar në shkatërrimin e saj edhe korrupsioni gërryen themelet e shtetit.

“Kjo e thënë jo si metaforë, por si realitet. Gërryerja është procesi që hap pak nga pak shtetin e së drejtës, pastaj futet në thellësinë e tij duke i hequr një shtresë që e bën atë thyeshëm dhe të dobët. SPAK, BKH dhe Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë struktura të lidhura me hetimin e korrupsioni në nivel të lartë duke përfshirë ato të politikanëve dhe zyrtarëve me rëndësi të veçantë”, tha ajo.

Sipas Mandros, “puna e prokurorëve nuk është e lehtë, sepse nuk është e lehtë të zbatosh standarde të shtetit të së drejtës për sa kohë sulmon krimi i organizuar”.

“Përballja e vazhdueshme për SPAK që ka marrë përsipër për ta kryer me profesionalizëm dhe dinjitet punën, si edhe ndaj prokurorëve të posaçëm ku vijnë presione të formave të ndryshme, siç janë kërcënimet, polemikat, intrigat dhe formalizmat, pretendimet false, analogjitë e stisura etj. Në luftën kundër korrupsionit, SPAK është peshëngritësi kampion”, përfundoi Mandro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb