Në Kuvendin e Shqipërisë u diskutua Akti Normativ për rikthimin e parave të marra për Profesionet e Lira. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila qe deputetja që u angazhua në betejën në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar këtë propozim ligjor. Tabaku deklaroi si kjo ditë simbolizon triumfin e ndershmërisë dhe drejtësisë, Kuvendi miratoi Aktin Normativ që rikthen paratë e marra padrejtësisht nga mbi 6,000 profesionistë të lirë. Sipas deputetes së PD kjo konsiderohet si fitorja e tretë e shtresës së mesme dhe profesionistëve të ndershëm kundër një sistemi të pandershëm fiskal të qeverisë socialiste.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nga Kuvendi, e quajti këtë akt si një moment të rëndësishëm për të gjithë ata që për muaj të tërë u përballën me arrogancën dhe pandershmërinë e mazhorancës. Ajo theksoi se kjo nuk është vetëm një çështje financiare, por një luftë për të rikthyer besimin dhe të drejtën për një sistem të ndershëm.
” Kjo është fitorja e tretë për profesionistët e lirë! Një fitore për shtresën e mesme dhe për të gjithë ata që nuk pranuan të përkulen përballë arrogancës së qeverisë. Ky akt është një rikthim i hakës tek i zoti, një dëshmi se e drejta mund të triumfojë, edhe kur përballë ka një sistem që ka ndërtuar pandershmërinë si parim qeverisjeje, ” deklaroi Tabaku.
Ajo kritikoi ashpër mazhorancën socialiste për arrogancën dhe metodat kërcënuese ndaj profesionistëve të lirë, që përfshinë emaile dhe presione të hapura për të detyruar individët të pranonin një taksë të cilësuar tashmë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Për Tabakun, sjellja e qeverisë reflektonte jo vetëm një filozofi të pandershme fiskale, por edhe një përpjekje për të normalizuar abuzimin institucional.
” Ky sistem i padrejtë ka rënduar për 11 vite mbi shpatullat e punëtorëve, pedagogëve, inxhinierëve dhe arkitektëve – ata që janë shtylla kurrizore e ekonomisë sonë. Ndërkohë, i njëjti sistem ka mbajtur me privilegje monopolet dhe oligopolet që e trajtojnë buxhetin publik si arkë personale kursimi, ” vijoi Tabaku.
Deputetja vlerësoi se rikthimi i këtyre parave është një moment drejtësie për profesionistët e lirë dhe shtresën e mesme, por shtoi se qeveria duhet të kërkojë falje për dëmin e shkaktuar. Ajo nënvizoi se kjo fitore është një shembull për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre.
“Sot votojmë për respektin ndaj njerëzve të punës, ndaj profesionistëve që e mbajnë këtë vend gjallë! Kjo është një fitore e drejtësisë, një fitore e ekonomisë sonë dhe e shtresës së mesme!,” përfundoi Tabaku. Kjo është një fitore e rëndësishme për Shqipërinë, që demonstron se zëri i qytetarëve të ndershëm mund të triumfojë ndaj pandershmërisë së sistemit.
Fjala e plotë e deputetes Jorida Tabaku:
Dhjetë muaj më parë, Partia Demokratike dhe një grup i madh profesionistësh të lirë u bashkuan në një kauzë që nuk lidhej thjesht me një taksim antikushtetues. Por me një kauzë që në thelb përbën pandershmërinë e sistemit fiskal socialist që për 11 vite u ka rënduar xhepat e shtresës së mesme, punëtorëve dhe sipërmarrjes.
Që kur vendosën Taksimin Progresiv mbi Pagën e qytetarëve, shumica socialiste e shiti si një taksim të drejtë ndonëse për vite me radhë kjo ka mbetur si refren pasi e njëjta shumicë është mbledhur herë për të hequr rentat minerare edhe herë për t’i vendosur, një vit për të ndarë biznesin e vogël në një skemë tjetër TVSH-je dhe një vit për të përcaktuar biznesin e vogël pa TVSH.
Pandershmëria ka qenë parimi mbi të cilën qeveria socailiste dhe mazhoranca socialiste kanë operuar për 3 mandate me radhë. Kanë taksuar pandershmërisht 95% të shqiptarëve dhe kanë mbajtur me temena 5% të bizneseve. U kanë rënë në qafë punëtorëve të fasonerive, inxhinierëve, pedagogëve, mejkëve, manaxherëve, arkitektëve pra atyre që janë shtylla kurrizore e një ekonomike dhe u kanë dhuruar monopolet, përjashtimet nga taksat një pakice që ka uzurpuar çdo hapësirë dhe që e ka buxhetin si arkën personale të kursimit. Prandaj, e njëjta mazhorancë, ishte arrogante ndërsa miratoi Taksën ndaj Profesionistëve të Lirë. Madje ishte edhe më arrogante kur u dërgua kjo taksë në Gjykatën Kushtetuese. Pandershmëria është rrënjosur aq thellë në filozofinë e kësaj shumice, sa askush nuk ka guximin të thotë të vërtetën që nuk ka përse 30 mijë profesionistë të lirë të paguajnë më shumë taksa se sa një biznes i madh. Asnjë nga specialistët dhe ekspertët brenda qeverisë, ndonëse e dinë mjaft mirë, nuk pati guximin të deklaronte se nuk mund të nxirrej dhjamë nga pleshti. Që nuk mund të zhvatej pafundësisht shtresa më vitale dhe energjike e vendit vetëm për të përmbushur kapriçio dhe teka momentale të një qeverie që sillet arrogante me të pafuqishmit dhe e dobët me monopolet dhe oligopolet që kontrollojnë fijet.
Akoma më e pandershme ishte sjellja e kësaj qeverie që ndërsa çështja trajtohej në Gjykatën Kushtetuese, ata dërgonin përditë emaile kërcënuese për të dhënë dy mesazhe; së pari, mesazhi drejtuar shtresës së mesme dhe shtyllës së ekonomisë edhe inovacionit. MOS MENDONI SE DO FITONI. Së dyti, mesazhi drejtuar Gjykatës me bindjen se duke u sjellë “si përherë” ata do të shtynin të padrejtën të normalizohej.
Prandaj mbi 6000 profesionistë të lirë, u detyruan të frikësuar nga shkopi i një qeverie që zhvat dhe tregohet e fortë me ata që mbajnë kombin gjallë dhe e çojnë përpara, të paguajnë taksën e pandershme dhe antikushtetuese të Profesionistëve të Lirë. Dhe me paturpësinë edhe më të madhe, kur gjithçka u sqarua, kur kjo taksë u vlerësua si antikushtetuese e njëjta qeveri sillej si zhvatëse e kapur në vjedhje që nuk donte t’ia kthente paranë atij që takonte.
Ky është sistemi i pandershëm që socialistët kanë instaluar prej 3 mandatesh dhe që vazhdojnë ta keqpërdorin me shpresën se shqiptarët do t’ua ngordhin nervin njësoj si ajo bretkosa që ia rrisin temperaturën ngadalë derisa ajo të ngordhë. U përpoqën me njëmijë e një forma, këta që i thonë vetes të ndershëm, që të mos të kthejnë hakën tek i zoti. I dërgonin letra Gjykatës Kushtetuese për një vendim që ishte aq i qartë saqë edhe më i padituri në jurispundencë e kuptonte. U kthye Ministria e Financave si Posta shqiptare që delegonte letra lartë e poshtë me postierë që vraponin me ankth nëse përgjigja e Gjykatës Kushtetuese do t’u toleronte atyre të drejtën për të vjedhur atë që nuk e vidhnin më dot.
Aq të pandershëm saqë edhe kur në buxhetin e shtetit u kërkua shprehimisht që të ingranohej një fond për këto para të marra padrejtësisht, antikushtetuetshmërisht ndaj shtresës së mesme, kjo shumicë sërishmi e revokoi.
Ndërsa sot, pas një epopeje të lavdishme të zhvatjes në tentativë, vjen Akti Normativ për të rikthyer ato para që pesë muaj më parë e njëjta qeveri ua morri shqiptarëve padrejtësisht. Pesë muaj më parë kur u thashë nga kjo foltore që mos të gabojnë dhe mos ua marrin tatimpaguesve të shtresës së mesme paratë, ironizuat dhe ua morrët me kokën tuaj. Ndërsa sot, ulni kokën dhe u riktheni atyre atë që u morrët padrejtësisht por fatkeqësisht ende nuk kam dëgjuar një ndjesë nga ana juaj. Një ndjesë ndaj atyre mbi 6000 sipërmarrje, biznese të ndershme që dalin nga sabahu në darke, në 7 ditë në javë për të nxjerrë të ardhurat e tyre. Që kanë invesutar dhe vazhdojnë të investojnë në dije, eksperiencë dhe jo vetëm ndërkohë që ky parlament vazhdon të votojë ligje me porosi, të zgjasë jetën e propozimeve ligjore kriminale që shkatërrojnë Shqipërinë dhe ekosistemin tonë. Për qeverinë socialiste armiqtë pra janë shtresa e mesme, ushtria e inxhinierëve, arkitektëve, softëare developer, IT, programuesve, përkthyesve, avokatëve, audituesve, kontabilistëve…të gjithë këta janë armiqtë për të cilën ligji dhe taksat janë të pamëshirshme..edhe përballë tyre qëndrojnë investitorët strategjikë, monopolet e ushqimeve, oligopolet e naftës dhe jo vetëm.
Ky Akt Normativ është një fitore për shtresën e mesme. Një fitore e njerëzve të ndershëm! Një fitore e njerëzve të drejtë! Një fitore e një Shqipërie që gdhihet në mëngjes për të fituar bukën e gojës dhe jo për të shkruar ligje me porosi. Një fitore e shtyllës së ekonomisë sonë! Një fitore e hakës që shkon tek i zoti! Prandaj, nëse sot e votoj këtë Akt Normativ e bëj pikërisht për të respektuar këto fitore! Për të respektuar njerëzit e punës! Njerëzit që e duan Shqipërinë dhe që nuk vendosën të largohen, por të dalin ballëhapur me ju dhe të kenë guximin t’ju mposhtin jo vetëm një herë por tre herë…ky Akt është fitorja e tretë!