Në një raport të botuar sot, Sekretari i Përgjithshëm i Mjekëve pa Kufij, Christopher Lockyear deklaroi se ata vërejtën “shenja të qarta të spastrimit etnik pasi palestinezët u zhvendosën me forcë dhe u bombarduan”, raportoi France Press.
“Ajo që ekipet mjekësore po dëshmojnë në terren gjatë këtij konflikti është në përputhje me përshkrimet e një numri në rritje të ekspertëve ligjorë dhe organizatave që arrijnë në përfundimin se po kryhet gjenocid në Gaza ,” tha Lockyear.
Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se ofensiva ushtarake e vendit në Rripin e Gazës mund të karakterizohet si gjenocid.
Raporti “Gaza: Jeta në një kurth vdekjeje” thotë gjithashtu se rrethimi izraelit i territorit palestinez ka reduktuar në mënyrë drastike dërgimin e ndihmave humanitare.
Ekipet mjekësore të Mjekëve pa Kufij thuhet se kanë ekzaminuar 27,500 pacientë dhe kanë kryer 7,500 operacione në Rripin e Gazës në një vit , dhe sëmundjet po përhapen me shpejtësi në mesin e popullatës, pasi 90 për qind e 2.3 milionëve janë të zhvendosur dhe jetojnë në kushte shumë të vështira.
Organizata dënoi bllokimin e evakuimeve për arsye mjekësore, duke deklaruar se Izraeli miratoi vetëm 1.6 për qind të kërkesave të tilla nga maji deri në shtator të këtij viti.
Në raport thuhet gjithashtu se janë dokumentuar 41 sulme ndaj punonjësve të asaj organizate, duke përfshirë sulmet ajrore në objektet shëndetësore dhe hapjen e zjarrit ndaj autokolonave humanitare.
Në raport, organizata bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe një fund të rrethimit të Rripit të Gazës, në mënyrë që të mundësohet dërgimi i ndihmave humanitare, dhe u bën thirrje aleatëve më të afërt të Izraelit “të përfundojnë mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për Izraelin dhe të përmbushin detyrimin e tyre ndaj parandalimit të gjenocidit në Gaza”.