Qeveria ka përcaktuar bonusin e paralajmëruar të pranverës për pensionistët në vend, duke zbuluar sasinë që do të shpërndahet dhe se si ndahen kategoritë e përfituesve.

Pensionistët me pensione nën 20,000 lekë do të përfitojnë 10,000 lekë, ndërsa ata mbi këtë shumë do të marrin 5,000 lekë.

Për këtë sasi parash do të krijohet një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë për pensionistët, ku do të transferohen 6.3 miliardë lekë për garantimin e bonusit të pranverës.

Ministri i Financave Petrit Malaj u shpreh se një fond prej 2.2 miliardë lekësh do të shpërndahet në formën e shpërblimeve për kategoritë sociale më vulnerabël. Bonus prej 15,000 lekësh do të përfitojnë familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre.

Për bujqësinë, do të alokohet një fond shtesë prej 1.4 miliardë lekësh, ndërsa për bashkitë do të sigurohen 1.6 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Njoftimi i plotë:

Deklarata për shtyp e Ministrit të Financave – Akti normativ për Buxhetin 2024

Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e djeshme, miratoi Aktin Normativ, për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024.

Ministria e Financave, propozoi disa masa, pas një analize të kujdesshme të ecurisë së ekonomisë dhe treguesve fiskalë për periudhën janar – nëntor 2024.

Në këtë prag fundviti, e gjithë vëmendja jonë shkon në mbështetje të shtresave më në nevojë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.

  • Do të shpërndajmë 2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël.
  • Konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.
  • Nga ana tjetër do të vëmë në jetë premtimin për garantimin e bonusit të Pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6.3 miliardë lekësh.
  • Në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 Euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 Euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë .

Me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë lekë do të mbështesim fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, bujqësinë.

Gjithashtu do të alokojmë një fond shtesë prej rreth 1.6 miliardë lekë për për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Angazhimi i Minstrisë së Financave mbetet i pandryshuar për të siguruar edhe në vijim trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, si dhe për të garantuar konsolidimin fiskal e qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb