Sulmi terrorist në qytetin Magdeburg, në Gjermani është kthyer në një tragjedi të vërtetë, pasi një makinë u fut me shpejtësi në tregun e Krishtlindjeve, duke përplasur turmën e njerëzve. Sipas të dhënave të para nga mediat gjermane, të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë janë plagosur, shumë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Magdeburgu, kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, është një qytet me rreth 240,000 banorë, i vendosur në perëndim të Berlinit. Pas sulmit, zona përreth tregut është rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa dyshohet se automjeti i llojit “BMW”, që përdori agresori, mund të përmbante eksploziv të pashpërthyer.
Sipas raporteve nga BILD, shoferi i makinës është arrestuar menjëherë pas sulmit. Mediat WELT, duke cituar burime të sigurisë, njoftojnë se agresori është një doktor nga Arabia Saudite, i lindur në vitin 1974, i cili kishte marrë me qira automjetin pak para sulmit.
Në vendin e ngjarjes, forcat e shpëtimit kanë ngritur çadra për të ofruar ndihmën e parë të lënduarve, ndërsa autoambulancat dhe helikopterët e shpëtimit janë nisur nga qyteti Halle për të ndihmuar autoritetet lokale. Dëshmitarët okularë tregojnë se agresori ka kaluar barrierat dhe ka goditur disa familje, duke manovruar makinën në mënyrë zigzag për të goditur sa më shumë njerëz.
Kryeministri i rajonit Saxony-Anhalt, Rainer Hasselof, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të tmerrshme, veçanërisht tani në ditët e para të Krishtlindjeve”. Matthias Suppe, një përfaqësues i qeverisë së rajonit, e quajti këtë një “sulm të dukshëm terrorist”. Po ashtu, përfaqësuesi i qytetit të Magdeburgut, Marcel Reif, e konfirmoi se, sipas informacioneve të para, bëhej fjalë për një sulm të planifikuar.