Ukraina do të ndalojë tranzitin e gazit rus në orën 7 të mëngjesit më 1 janar 2025, pasi kontrata 5-vjeçare skadon, tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal duke folur në Verkhovna Rada.

“Ne e kuptojmë që marrëveshja e tranzitit të gazit përfundon më 1 janar 2025. Në orën 7 të mëngjesit, tranziti do të bllokohet për shkak të përfundimit të kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Sipas tij, rifillimi i tranzitit përmes rrjetit ukrainas të transportit të gazit do të jetë i mundur me kërkesë të Komisionit Evropian, me kusht që të mos jetë gazi rus. Lidhur me naftën, kryeministri deklaroi se Ukraina është e detyruar të vazhdojë tranzitin e naftës ruse në përputhje me Kartën Evropiane të Energjisë.

Ukraina ndaloi të gjitha operacionet tregtare me Rusinë në shkurt 2022, përveç tranzitit të gazit dhe naftës. Marrëveshja e tranzitit midis Naftogaz dhe Gazprom u përfundua në fund të vitit 2019 për një afat pesëvjeçar.

Sipas mediave ukrainase, në nëntor të këtij viti, Naftogaz ka marrë pagesën përfundimtare nga Gazprom për tranzitin e dhjetorit, që arrin në rreth 70 milionë dollarë.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb