Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin që synon njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet bujqësore dhe ish-kooperativat bujqësore për llogaritjen e pensioneve në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Tani, të gjitha vitet e punës përpara vitit 1993, do t’u njihen qytetarëve edhe nëse nuk janë të dokumentuara nëpër regjistrat shtetërorë. Janë mbi 29.000 qytetarë që pritet të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë.
Avokati Erald Aga, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 shpjegoi më tepër rreth ligjit të ri të pensioneve. Ai tha se është shumë e rëndësishme që pensionistët të kenë librezën e punës e cila shërben si i vetmi dokument provë, ndërsa borderoja konsiderohet si akt i njëanshëm.
Avokati Erald Aga: Pensionistëve do u njihet pensioni vetëm në bazë të librezës së punës. Ligji nuk ka fuqi as paravepruese e as prapavepruese. Shpresojmë që ligji mos të jetë për efekt elektoral. Libreza është i vetmi akt zyrtar shtetëror për dokumentimin e viteve të punës. Borderoja është akt i njëanshëm, e ka vetëm punëdhënësi, që siç ka ndodhur në vitin 1997, ai mund ta grisë. Kështu, që e vetmja gjë e vlefshme është libreza.
(BalkanWeb)