5 gola për 3 pikë, Bayern “çmonton” Leipzig dhe përforcon pozitat në krye të Bundesligës në kuotën e 36 pikëve, plus 7 në raport me Leverkusen. Musiala kaloi Bayern në avantazh që në minutën e parë, i shërbyer pastër në zonë nga Olise. Bayern nuk kishte kohë as të festonte pasi në aksionin pasues, pas vetëm një minute, Sesko barazoi shifrat në 1-1.

Pas këtij momenti, Bayern mori sërish kontrollin e lojës dhe në minutën e 25-të, Laimer me një goditje shumë të bukur riktheu vendasit në avantazh, ndërsa në minutën e 36-të ishte Kimmich që me një predhë të vërtetë nga distanca dërgoi shifrat në 3-1.

Në pjesën e dytë, Sane dhe Davies realizuan edhe dy gola të tjerë duke kompletuar “manitan”. Për fat të keq, Gjermania është në zi, për shkak të tragjedisë së ndodhur në Magdeburg, edhe fjalët e para të trajnerit Kompany shkuan për njerëzit që humbet jetën gjatë atij akti terrorist:

“Është pothuajse e pamundur të flasim për futboll. Tani për tani njerëzit në Magdeburg janë në mendimet tona. Shpresojmë se në një moment do të ketë paqe, jo vetëm në Gjermani por kudo. Ne fituam, por shpresoj se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë fitore për paqen”, u shpreh Kompany.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb