DURRES
Për të dytin vit radhazi, rikthehet në sheshin kryesor të Durrësit panairi “Verë dhe traditë”. Përgjatë dy ditëve të fundjavës, ky panair do të shërbejë si një mundësi shumë e mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit bregdetar dhe të fshatrave turistik në periferitë e tij.
Të shumtë ishin qytetarët durrsakë, që ndaleshin në stendat e kantinave të verës, punishteve të përpunimit të ullirit dhe nënprodukteve të tij, por edhe gatimeve tradicionale shqiptare për të degustuar nga afër prodhimet më të mira të tokës durrsake.
Në panair nuk munguan edhe turistët e huaj, të cilët e shfrytëzuan këtë moment për të blerë dhe marrë me vete disa nga produktet tradicionale shqiptare.
Atmosfera festive e krijuar nga programi artistik, që do të shoqërojë të dy ditët e panairit argëtoi shumë nga të pranishmit në shesh.