Kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi gjatë takimit me mësues e prindër, këtë të shtunë, programin e fermës në shkollë. Rama tha se së shpejti do të ndërtohet instituti i fëmijëve në konflikt me ligjin. Kryeministri tha se nisma është program i Ministrisë së Bujqësisë dhe i Ministrisë së Arsimit dhe një program i prodhimit dhe i shitjes së atyre produkteve që fëmijët të kuptojnë se domatja nuk prodhohet në TikTok dhe që marrëdhëniet s’janë ato të TikTok, por ato të jetës reale.
“Problem sot nuk janë fëmijët tanë, jemi ne shoqëria jonë, janë TikTok dhe të gjithë “toktokët” që na i mbajnë peng fëmijët, njësoj si rrugaçi i lagjes që është personazhi më tërheqës, ai nuk është i pari i klasës, por ai që të mëson si të ikësh nga mësimi si të bësh qejf, ja thika dhe ja kjo ja ajo. Ky është Tik Toku, do ta përzëmë për një vit pastaj të shohim. Do ta kthejmë në një vit pune dhe financimi që çdo ministri dhe institucion në Shqipëri duhet të ketë programin e vet për fëmijët. Ne jemi duke ndërtuar në spitalin pediatrik një program për të çuar shkollën tek fëmijët dhe fëmijët të kenë mundësi që të bëjnë edhe shkollë me një program të lehtësuar që është një model që e kemi marrë nga Izraeli.
Ne jemi në proces për të ndërtuar institucionin e fëmijëve në konflikt me ligjin që është një model europian për ata fëmijë që kanë kryer një vepër që s’mund të çohen në burg, sepse aty dalin më problematik se sa hyjnë dhe së shpejti do të lançojmë fillimin e ndërtimit për të. Ashtu si programi i fermës në shkollë që e kemi nisur. Është program i Ministrisë së Bujqësisë dhe i Ministrisë së Arsimit dhe një program i prodhimit dhe i shitjes së atyre produkteve që fëmijët të kuptojnë se domatja nuk prodhohet në TikTok dhe që marrëdhëniet s’janë ato të TikTok, por ato të jetës reale. Ministria e Mbrojtjes, Policia e Shtetit do të ketë ketë një program të dedikuar për fëmijët. Ne duhet që t’i lidhim fëmijët me jetën reale. Çfarë është bërë në këto vite për të transformuar shkollën, kemi 12 mijë fëmijë të angazhuar në aktivitet sportive sot”, tha ai.
(BalkanWeb)