Trajneri i Dinamos, Ilir Daja u shpreh i lumtur pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Egnatias.
“Kemi sulmin më të mirë pasi kemi dy golashënues si Mandela dhe Zabërgja me nga 8 gola. Kemi Nanin dhe Bregun që kanë nga 5 gola edhe pse nuk kanë luajtur në fillim. Kjo është një dhuratë që lojtarët ja bëjnë vetes së tyre, por edhe presidentit dhe drejtuesve që kanë investuar goxha dhe janë super korrekt. Por edhe stafit, pasi ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në intensitet maksimal pune.
Besoj se kemi merituar rritje në pikë, por edhe në lojë. Sot kishim përballë Egnatian, një nga ekipet më të mira shqiptare, lavdërime edhe për Tetovën për punën që ka bërë. Ishte një ndeshje me kampionnë në fuqi, që ne nuk e kishim fituar sipas statistikave. Kjo është një punë që filloi nga merkato, e deri më tani që kemi 2-3 pushime, s’besoj se do të kemi më shumë.
Një pjesë e strategjisë së sotme ishte e bashkëbiseduar me lojtarët. Zabërgja me Goudiaby kanë vetëm një seancë stërvitore me ekipin. Mungesat tani dihen, s’po i përmend. Të gjitha këto bënë që ne të zgjidhnim një strategji ndryshe. Edhe Egnatias është vështirë që t’i bësh presing lart. Besoj që me të gjitha këto që përmenda, na rezultoi një strategji e duhur. Më e rëndësishme është që morëm një 3 pikësh shumë të fortë, ndaj një ekipi të fortë si Egnatia.
Aleksi është një lojtar që e nxjerr mirë topin nga poshtë lart. Pothuajse të gjithë këto topa kalojnë nga këmbët e Aleksit. Egnatia ndryshoi dhe kaloi me 4 mbrojtësa, duke bërë që edhe në të ndryshonim më pas. Kjo për shkak për të eliminuar Aleksin, që është pjesë e rëndësishme e skuadrës së Egnatias. Në fund fare, duhet të kemi edhe ne guximin për të hedhur në fushë lojtarët e rinj.
Sa besim te titulli kampion? Kjo periudhë kampionati na vlen për të rigjeneruar anën fizike dhe psikologjike. Lojtarët kanë pasur ngarkesë, pasi kemi pasur shumë dëmtime. Natyrshëm që do na bëjë mirë për këtë. Nuk mendoj se çfarë do të ndodhë në fund të kampionatit, t’i marrim gjërat siç i kemi marrë deri më tani. Si fillim të përmirësohemi, e më pas të shohim ndeshjen e radhës.
Kjo është Dinamo e Ilir Dajës? Si natyrë nuk kënaqem, nga një standard në një tjetër. Kështu duhet të jetë besoj. Kemi një kimi midis stafit dhe lojtarëve, është treguar në këtë gjysmë të kampionatit. Por kemi shumë punë për të bërë, të minimizojmë ato që nuk janë të mira.
Gëzuar festat e fundvitit, të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”, tha Ilir Daja