Profili i Taleb Al Abdulmohsen duket të jetë ai i një supremacisti të bardhë, i cili ndërsa drejtonte një BMW shkaktoi tragjedinë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke vrarë 5 persona, përfshirë një fëmijë 9-vjeçar, si dhe duke plagosur mbi 200 persona, 41 prej të cilëve në gjendje kritike.
Armiqëse ndaj Islamit, ndaj kancelares Angela Merkel që hapi dyert e Gjermanisë për refugjatët që ikën nga lufta siriane, i fiksuar pas pushkëve Ar-15 dhe mbështetës i ekstremit të djathtë gjerman: ky është profili i agresorit, mjek saudit, i cili u arrestua, menjëherë pas aktit të çmendur.
Po cilat janë arsyet që e shtynë psikiatrin të bënte gjestin e çmendur?
Arsyet që e shtynë psikiatrin për të kryer masakrën nuk janë ende të qarta, por sipas kryeprokurorit lokal Horst Walter Nopens, ato mund t’i atribuohen “pakënaqësisë” që ai ndjeu me trajtimin e rezervuar nga qeveria gjermane ndaj bashkatdhetarëve të tij që kërkojnë azil.
“Gjermania persekuton gratë azilkërkuese saudite, për të shkatërruar jetën e tyre, Gjermania dëshiron të islamizojë Evropën”. Kështu shkruante mjeku psikiatër 50-vjeçar në profilin e tij X, i cili në sfond ka imazhin e një prej modeleve më vdekjeprurëse Ar-15.
Në orët pas sulmit që tronditi Gjermaninë dhe mbarë botën, dolën disa detaje që japin më shumë qartësi mbi atë që ndodhi në qytetin gjerman. Agresori kritikon Gjermaninë sepse, sipas tij, ajo është tepër e hapur ndaj kulturës dhe fesë së vendeve të origjinës, ato nga të cilat ai, një ateist, u largua.
Pasi mori azil në Gjermani, ai themeloi forumin wearesaudis.net, i cili u bë shpejt një pikë referimi për ateistët dhe gratë saudite që duan të shpëtojnë nga regjimi dhe “nga përdhunimet e kujdestarëve të tyre meshkuj”. Angazhimi i tij i dha famë, aq sa fliste për aktivitetet e tij në intervista në mediat ndërkombëtare si BBC apo Al Jazeera. Në një intervistë të vitit 2009 me gazetën Frankfurter Allgemeine, ai e quajti veten “kritiku më i madh i Islamit në të gjithë historinë”.
Psikiatri dukej se kishte humbur besimin në Gjermani dhe kështu u radikalizua. Në X ai sulmon gjithnjë e më shumë Gjermaninë, e akuzuar për “goditje ndaj refugjatëve sauditë brenda dhe jashtë vendit për të shkatërruar jetën e tyre”. Ai pretendon se Gjermania dëshiron të “islamizojë Evropën”, madje arrin deri aty sa të postojë një foto të ish-kancelares Angela Merkel me shkrimin në anglisht “Unë e shkatërrova Evropën”.
Pasi u zhvendos në vitin 2006 me një leje qëndrimi të përhershme për të përfunduar specializimin e tij, sauditi- simpatizant i partisë gjermane të ekstremit të djathtë AfD dhe Elon Musk – nuk ishte i njohur për 007 gjemane, por një vit më parë ai ishte klasifikuar si “person në rrezik” nga autoritetet lokale.
Dhe, Riadi e kishte paralajmëruar Berlinin për rrezikun e tij. Katër herë, midis nëntorit 2023 dhe shtatorit 2024, autoritetet saudite paralajmëruan Gjermaninë për rrezikun e Abdulmohsen, duke pretenduar se ai mund të përfaqësonte një kërcënim për diplomatët e Riadit. Por askush nuk veproi. Kjo u zbulua nga Wall Street Journal, duke cituar burime të sigurisë dhe qeverisë gjermane, sipas të cilave Berlini i injoroi ato paralajmërime, sepse u mendua se sauditët e kishin vënë në shënjestër atë për refuzimin e Islamit, i konsideruar si një krim në mbretëri i dënueshëm teorikisht me vdekje.
Muajt e fundit, Taleb Al Abdulmohsen kishte shfaqur shenja jostabiliteti: që nga tetori nuk ishte paraqitur në punë, duke i kistifikuar mungesat e tij me pushime dhe sëmundje. Pas arrestimit, në media qarkulloi lajmi se ai kishte rezultuar pozitiv me drogë, rrethanë kjo e pa konfirmuar nga shefi i policisë, i cili ishte ende në pritje të rezultateve të analizave mjekësore “fizike dhe mendore”.
Përkujtimi 24 orë pas sulmit
Në Magdeburg dhe në pjesën tjetër të Gjermanisë është dita e pikëllimit pas sulmit që mori jetën e 5 personave. Tregu u mbyll, dritat e festës u fikën dhe qindra njerëz vendosën lule dhe lodra pellushi në një memorial të improvizuar pranë vendit të tragjedisë. Gjatë gjithë ditës, banorët e qytetit të Saksonisë ndezën qirinj, vendosën lule, karta dhe lodra për fëmijë në kishën Johanneskirche.
Qindra besimtarë, përfshirë presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, morën pjesë në shërbimin përkujtimor në katedralen e qytetit për të afërmit e viktimave. Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën jashtë kishës për të ndjekur ceremoninë në një ekran të madh, duke vendosur lule dhe ndezur qirinj. Qindra njerëz të tjerë pushtuan sheshin qendror të qytetit, duke përfshirë disa që mbanin pankarta të ekstremit të djathtë.