tiktokNjoftimi i kryeministrit Edi Rama se do të mbyllë TikTok për një vit ka marrë vëmendjen e mediave të njohura ndërkombëtare.

BBC, Reuters, The Guardian dhe shumë media të tjera i referohen kreut të qeverisë shqiptare, i cili njoftoi vendimin ditën e shtunë.

“Kryeministri i Shqipërisë ka njoftuar se qeveria synon të bllokojë aksesin në TikTok për një vit pasi vrasja e një nxënësi shkolle muajin e kaluar ngriti frikën për ndikimin e mediave sociale te fëmijët”, shkruan BBC.

“Ndalimi, pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat ​​më të sigurta, do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, tha kryeministri Edi Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi”, shkruan Reuters.

“Rama ka fajësuar mediat sociale, dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës. Vendimi i qeverisë së tij vjen pasi një nxënës 14-vjeçar u godit me thikë për vdekje në nëntor nga një nxënës tjetër”, shkruan The Guardian.

Por njëkohësisht BBC ka kontaktuar me platformën TikTok, e cila tha se nuk kishte gjetur asnjë provë se personi që dyshohet se vrau me thikë djalin 14-vjeçar, ose vetë viktima, të kishin llogari në TikTok.

Rama thekoi se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.

“Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTokun do ta mbyllim për një 1 vit. Kemi bërë hulutimiet tona në aspektin teknologjik, do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj dhe gjatë atij viti do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për filtra etj., si do të reagojë TikTok“, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb