Një person ka tentuar të grabisë një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Korçës gjatë orëve të vona të së shtunës. Ngjarja është pasqyruar nga një foto e publikuar, ku i dyshuari shfaqet i pamaskuar, duke mbajtur një telefon në dorë, i cili duket se ishte në pozicion për të filmuar veten.
Sipas raportimeve, sapo autori hyri në ambientet e bankës, u aktivizua alarmi, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të Policisë. Pasi konstatoi praninë e policisë, i dyshuari u largua me shpejtësi pa mundur të marrë asgjë nga brenda bankës.
Policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Hetimet po vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e kësaj tentative grabitjeje.
Korçë/Informacion paraprak.
Rreth orës 22:04, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë me forcë brenda një banke të nivelit të dytë në lagjen nr.3 në qytetin e Korçës, i cili ka shtyrë me forcë derën e jashtme.
Në momentin që ka hyrë brenda ka rënë sinjali dhe menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë.
Shtetasi që kishte hyrë në ambientet e bankës porsa ka konstatuar Policinë është larguar me shpejtësi pa marrë asnjë gjë nga brenda bankës.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë rrethuar zonën ku dyshohet se është fshehur autori.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën, për të bërë të mundur identifikimin e autorit.