Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, reagoi sot në lidhje me tenderin e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për blerjen e ushqimeve për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në sistemin e burgjeve.

Vangjeli paraqiti dokumente nga procedura e prokurimit e kryer nga OBP dhe theksoi se “nuk është hera e parë që PD denoncon ministrin Gonxhe për shkeljet ligjore gjatë ushtrimit të detyrës”.

“Ai sapo mori detyrën, nisi me planifikimin e strategjive për vjedhje të reja. Në shkurt 2024, kur u krijua shoqëria aksionere nën varësinë e tij, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, Gonxhja nxitoi të emëronte Arlinda Pogan, drejtoreshën e njohur të prokurimeve, e cila ishte përmendur në raportet e KLSH-së për performancën e dobët të prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë,” tha Vangjeli.

Ajo sqaroi se “në nëntor 2024, Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi një procedurë të kufizuar për blerjen e ushqimeve për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, me një fond limit prej 26.1 milionë euro, të ndarë në 6 lote dhe me një afat kontrate prej 48 muajsh nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kuadër”.

“Autoriteti kontraktor i Blendi Gonxhes ka shkelur parimet e prokurimit publik duke përdorur marrëveshjen kuadër si një mjet prokurimi, në kundërshtim me qëllimin e saj sipas ligjit ‘Për Prokurimin Publik’. Ligji në duar të maliqit Gonxhja dhe Pogas u shfrytëzua për të rritur fondin limit në miliona euro dhe për të siguruar lidhjen e kontratave për katër vjet, në kundërshtim me ligjin e Prokurimit Publik dhe VKM-në e vitit 2021,” tha Vangjeli.

Ajo citoi vendimin e Këshillit të Ministrave, ku theksohet se “autoriteti kontraktor nuk lidh kontrata shumëvjeçare për punë, mallra ose shërbime që planifikohen dhe përdoren në mënyrë vjetore, që gjenden lehtësisht në treg dhe mund të prokurohen normalisht”.

Vangjeli përfundoi duke thënë se “vlerësimi i ofertave nuk u realizua sipas legjislacionit për prokurimin publik, pasi fituesit e paracaktuar u shpallën me oferta që ishin pothuajse sa fondi limit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb