Ish-ambasadori Agim Nesho në “Opinion” në News24 tha se njohja e Kosovës, në një situatë me interesa tepër komplekse, do të vështirësohet.
Nesho tha se Kosova duhet të sigurojë mbrojtjen e saj në të gjitha aspektet duke u anëtarësuar sa më shpejt në NATO.
“Janë dy faktorë që e ndalojnë hyrjen e Kosovës në NATO. Në rradhë të parë është presioni i një grup shtetesh që mbrojnë interesat e Serbisë, në një farë kuptimi, i bëjnë presion Kosovës që të lëshojë sa më shumë. Madje kemi dy vende që kanë marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë, si Franca dhe Italia, që kanë bërë presion që Kosova të mos hapë negociatat, si vendi i fundit në Rajon, me BE-në. Pse ndodh kjo? Bëjnë presione që Kosova të bëjë lëshime.
Së dyti, faktori i Shqipërisë, nuk ka prodhuar për 12 vjet asnjë njohje, nuk kemi asnjë avancim në agjendën e Kosovës. Edhe në Këshillin e Europës të gjithë miqtë e Edi Ramës votuan kundër anëtarësimit të Kosovës. Shikoni partinë e Melonit që votoi kundër, ndërkohë që Rama i dha territor për hapjen e kampeve të refugjatëve”, tha Nesho.
Diplomati u shpreh se vendet perëndimore duhet të ndërgjegjësohen që rreziku rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor janë prezentë dhe kjo do e detyrojë Perëndimin që t’a pranojë sa më shpejtë. “Është një proces i dyanshëm”, tha Nesho.
Ai tha se Perëndimi po ledhaton Serbinë për ta tërhequr më vete. “Kemi një ekuacion të paqartë që varet më shumë nga Perëndimi se nga Kosova”, tha Nesho.