Atalanta “thyen” 3-2 Empolin, qëndron e vetme në krye të Serie A, në kuotën e 40 pikëve, plus 2 në raport me Napolin. Bergamaskët konfirmohen edhe një herë se janë një nga favoritët kryesor për t’i shkuar deri në fund këtij sezoni. Kjo ishte një sfidë e veçantë edhe për tifozët kuqezi, pasi përballë ishin dy qendërmbrojtësit e kombëtares, Gjimshiti kundër Ismajalit, një sfidë brenda sfidës.
Empoli trembi vendasit pasi Colombo kaloi toskanët në avantazh që në minutën e 13-të, ku i vetëm brenda në zonë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Atalanata reagoi dhe në minutën e 34-ët, De Ketelaere me kokë barazoi shifrat në 1-1. Në minutën e 42-të, Berat Gjimshiti flirtoi me golin teksa goditja e tij me kokë u përplas në shtyllën pingule. Në shtesën e pjesës së parë, i përhershmi Lookman, “Topi i Artë Afrikan”, u tregua i saktë duke kaluar Atalantën në avantazh.
Empoli nuk u dorëzua, por me fillimin e pjesës së dytë, Gjimshiti shkaktoi një faull në zonë, me gjyqtarin e takimit që akordoi penallti, pas konsultimeve më VAR, por ky moment ishte shumë i dyshimtë duke shkarkuar zhurmë në Itali. Nga pika e bardhë, Esposito u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 2-2. Në fund, në minutën e 86-të ishte De Ketelaere që realizoi një gol trepikësh duke kompletuar mbrëmjen e tij perfekte me një dygolësh.
Kjo nuk ishte ndeshja më e mirë për Berat Gjimshitin i vlerësuar nga mediat me notën 5: “Gjënë më të mirë në këtë takim e bën në sulm, ku me kokë goditi shtyllën”. Me 6,5 i vlerësua qendërmbrojtësi tjetër kuqezi, Ardian Ismajli.
(BalkanWeb)