Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit V.N., për dyshimin e bazuar se ka kryer, në bashkëkryerje, veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Sipas aktakuzës, veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës. I pandehuri, duke bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave, M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e SH.S.
Në përputhje me nenet 234 par. 2 dhe 303 par. 7 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), Prokuroria Speciale ka propozuar që Gjykata të zhvillojë gjykimin në mungesë, pasi i pandehuri V.N. është i pa-arritshëm për organet e drejtësisë. Sipas Prokurorisë, janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë, në përputhje me nenin 234 të KPP-së.
Kjo çështje penale ka kaluar tashmë në kompetencë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.