Partia Demokratike mban sot protestën e radhës në kuadër të mosbindjes civile, protestë ku është [paralajmëruar bllokimi i disa akseve rrugore në kryeqytet.

Policia ka reaguar në lidhje me tubimin, duke sqaruar se orari për të cilin është kërkuar leje, është nga ora 17:00 deri në orën 20:00, ndërsa paralajmërohen organizatorët dhe pjesëmarrësit se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe kushdo që shkel ligjin do t1% përballet me pasoja.

Blutë bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat për  garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Njoftimi:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:

Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb