Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë konstatuar prova që lidhin Beogradin zyrtar me shpërthimin e kanalit të Ibër-Lepencit në Kosovë, ndërsa theksoi se hetimet janë duke vijuar.
“Mendoj se ka një dëshirë nga të gjitha anët për të zbuluar të vërtetën se kush e ka bërë këtë. Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill.
Ai shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje ndaj akuzave të ndërsjella”.
“Kosova po fajëson Serbinë, ne nuk shohim asnjë provë për të mbështetur akuza të tilla”, tha Hill.
I pyetur për rrugën evropiane të Serbisë, Hill tha se do të jetë çështje e vendimeve që do të marrë Beogradi, se nuk i takon atij si amerikan të flasë për Bashkimin Evropian.
“Unë mendoj se Evropa dhe SHBA duhet të jenë të vetëdijshme për faktin se Serbia ka marrëdhënie të mira në atë pjesë të botës dhe ne duhet të bëjmë më shumë me Serbinë dhe shpresoj se BE-ja do të arrijë në atë përfundim”, tha Hill, duke treguar se ka shumë çështje që mund ta afrojnë Serbinë me Bashkimin Evropian, duke përmendur litiumin si lëndë të parë kritike.