Me Ten Hag apo Amorim në stol asgjë nuk ndryshon, me Man.United që vijon sezonin me ulje ngritje të forta. Amorim erdhi në “Pallatin e Ëndrrave” me statusin e shpëtimtarit, por shumë shpejtë u kuptua se portugezi nuk kishte “shkop magjik”. Për të vërtetuar këtë mendoi edhe Bournemouth që i shkaktoi një humbje të rëndë 0-3 brenda në shtëpi.
Për të kuptuar situatën mjafton të shohim diferencat në tabelë, me Bournemouth që renditet në vendin e 5-të me 28 pikë, një nga surprizat e mëdha të këtij sezoni, plus 6 nga Man.United, me “djajtë e kuq” që janë ende shumë larg “zonës euro”. Pranon momentin e vështirë edhe Amorim: “Është e vështirë për ne të bëjmë 2-3 fitore radhazi, jemi nervoz, kjo u pa qartë edhe në këtë takim”, u shpreh Amorim.
Pas tetë fitoreve radhazi, mes Evropës dhe Anglisë, ndalet Chelsea, por ndalet pikërisht atëherë kur më pak pritej, në transfertë përballë Everton. Armando Broja shijoi nga tribuna këtë takim, pasi klauzola e famshme nuk e lejonte të luante kundër ekipit që ka në pronësi kartonin e tij. Chelsea ishte superior në çdo aspekt, kishin 75% kontrollin e topit, por nuk arritën të gjenin në asnjë moment prekjen fituese duke dale me një pikë pas barazimit pa gola.
Me 35 pikë në 17 javë, Chelsea qëndron në vendin e dytë, 4 pikë larg Liverpool, por të kuqtë kanë një ndeshje më shumë në dispozicion.