Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësi i tij, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, do të përgjigjet përpara drejtësisë për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, dhe “grupit të strukturuar kriminal” lidhur me aferën e koncesionit të sterilizimit.
Gjykata e Posacme në seancës e së hënës, orientoi prokurorinë e Posacme të rikualifikonte dhe ashpërsonte akuzat për ish-ministrin dhe dy të pandehurit e tjerë, bazuar në aktet e dorëzuara për gjykim nga prokurori Edvin Kondili.
Sipas gjykatës, Ilir Beqaj, Rjepaj e Rrapaj krijuan grup kriminal dhe në pas në kuadër të tij, kryen veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Ndërsa për të pandehurit e tjerë akuzat nuk ndryshuan.
Prokurori Edvin Kondili tha se procedurialisht e pranon sugjerimin e gjykatës, duke ngritur akuzat e reja për dy ish-zyrtarët e lartë dhe biznesmenin, në një kohë që theksoi se akuza e ngritur prej tij për secilin prej tyre ishte e saktë.
Në seancë prokurori KondiliiI kërkoi gjykatës t’i saktesonte se për llogari të kujt kishin vjedhur tre të pandehurit.
Gjykata saktësoi se kanë përfituar për interesat e tyre.
Në këtë moment reagoi Ilir Beqaj dhe kërkoi të saktësohej shuma e vjedhur prej tij.
Ish-ministri i Shëndetësisë, akuzohej nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Klodian Rjepaj për mashtrim, falsifikim dokumentash e shpërdorim detyre, ndërsa ilir Rrapaj për mashtrim dhe falsifikim. Të tretë ata tashmë gjenden përpara një situate të re proceduriale, e për këtë arsye duhet të japin argumentat e tyre të mbrojtjes në seancën e radhës me datë 9 janar 2025.
Gjykata ndërkohë orientoi SPAK të hetojë për Umberto Stacinin, ortak i Ilir Rrapaj, Ministrinë e Financave dhe Komisionin e Prokurimeve Publike.
Për aferën e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro janë të pandehur 9 persona.
(BalkanWeb)