Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut. Protesta e muajit korrik të dy viteve më parë do të ishte një e tillë, që do të thyente atë përfytyrim se njerëzit nuk mund t’i angazhosh në një periudhë aq të nxehtë. Si nuk mund të mohohet se ka bërë dhe protesta larg pritshmërive, të cilat “kanë arritur objektivin”, referuar thënieve të liderit të tyre historik Berisha, që para çdo proteste shënon fundin e Ramës dhe kuptohet tabori pas tij e përcjell, duke e amplifikuar madje shumë më tepër. Ashtu, si duhet respektuar vazhdimësia e protestave të këtij viti para godinës së Bashkisë së kryeqytetit (përveç hedhjes së molotovëve ndaj qytetarëve të thjeshtë me uniformën e policisë). Veçse mungesa e duhur e formës dhe artikulimi i munguar i rrugës së ndryshimit të duhur, përmes liderëve të saj, duket se i ka lodhur paq njerëzit. Këtë nuk arrijnë ta kuptojnë shumë prej tyre, që janë në strukturat drejtuese (Kryesi-Këshill), pasi numrat e protestuesve që angazhojnë u duhet për të treguar dhe identifikuar punën e tyre! Tek e fundit, sot është e lehtë të organizosh falë rrjeteve sociale, vështirë është që masën e pakënaqur duhet ta hedhësh në protestën e rrugës.
Ndryshimi i formës në tri protestat e fundit ka të ngjarë të kthehet në të kundërtën e asaj, të cilën pret PD-ja. Edhe kështu, pa protestë, pasditja e qarkullimit në kryeqytet, veçanërisht në kohën e ardhjes nga puna është katastrofale. Radhë pa fund dhe konfuzion trafiku, e para prej rëndesës së kryeqytetit, e dyta prej festës dhe e treta, që mund të jetë e para dhe prej një mase bjerraditësish të lumtur, që lëvizin kot nëpër kryeqytet duke u kënaqur me ankthin që u shkaktojnë grimasat e qytetarëve, kur buritë e tyre i shurdhojnë apo duke u futur, vend e pa vend. Këtë e kanë konstatuar edhe vetë njerëzit e PD-së, por interesi i tyre është që njerëzit këtë tollovi, t’ia veshin Rama-Veliajt, që është më e papërfillshmja, ndërkohë që njerëzit duan normalitet. Dhe, normaliteti s’ka emër. Ka përgjegjësi. Kjo është abcja e Shqipërisë, që kur është folur për krijimin e shtetit. Shqiptarët e duan normalitetin, pasi në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë regjimi, nuk e kanë gjetur si qytetarët e BE-së.
Nga ana tjetër, Rama dhe njerëzit e tij duhet të ndjejnë përgjegjësi për veprimet dhe aktet e veta dhe në këtë realitet, protestat e opozitës janë të shumëpritura dhe prej kohësh, jo vetëm media po çdo segment i shoqërisë, i nxit me aq sa mundet. Madje, edhe ata, që kur protestohet rrinë në kafe krejt indiferentë dhe që i ngjallën atë ndjesi të pakëndshme njërit prej krerëve të PD-së, Paloka. Është i vërtetë postulati, se nëse liderët që e kanë tepruar me qeverisjen e tyre, nuk ndjejnë përgjegjësi në botën tredimensionale, atëherë asgjë nuk do ndryshojë. Rasti i Shqipërisë e ka treguar nga konsumimi i madh i qeverisjes; hallakatja në ide, që nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë; cinizmi e meritojnë një ndëshkim, që ata po e marrin për çdo ditë. Veçse, problemi është se në mënyrën sesi po organizohet PD-ja, po tregon se legjislatura e ardhshme do të jetë e përbërë sërish nga të njëjtit njerëz, që nuk i dhanë shumë demokracisë dhe mbi të gjitha statura të munguara ligjvënësish, që nuk dalin dot nga rreshti i kryetarit (në pjesën më të madhe). Rasti i PS-së është akoma më shqetësues, por pak herë aty dëgjon edhe ndonjë zë “ndryshe”, ku zëri i Erion Braçes disa herë ka thënë gjëra, që e përcëllojnë qeverisjen e Ramës. Ka një mësim, që na vjen nga një seri leksionesh, që Timothy Snyder, sjell për publikun amerikan me titullin “Mbi tiraninë” dhe në fakt kritikojnë frymën e demokracisë që po merr vendi i tij. Në sythin që lidhet me praninë fizike të njerëzve, ai parashtron një ide, që tashmë është kthyer në postulat dhe mund t’i shërbejë edhe PD-së: “Në mënyrë që rezistenca të ketë sukses, duhet të kapërcehen dy limite. E para, idetë mbi ndryshimin duhet të angazhojnë njerëz të profileve të ndryshme, të cilët nuk kanë pse të bien dakord me çdo gjë. E dyta, njerëzit duhet ta gjejnë veten në vende që nuk janë shtëpitë e tyre dhe mes grupeve që më herët nuk ishin miqtë e tyre”.
E thënë pak ndryshe, hapeni partinë! Keni ende edhe pak muaj, ku do kishit mundësi të kooptonit njerëz të rinj, që do të mobilizonit profesione të ndryshme, por edhe që duhej t’u tregonit se do të qeverisnit ndryshe. Deri më tani, thjesht bëni show, herë duke u përplasur në foltoren e Parlamentit dhe herë duke ngritur kauza të munguara, siç ishte ajo me banerin gjigand “Free Berisha”, që e vutë në ballinën e objektit tuaj. Shqipëria ka nevojë për të Djathtën dhe për një imazh shumë patriotik të saj dhe jo duke u fshehur, siç e bëtë me kolegët tuaj të PS-së për antifashizmin dhe rolin e shqiptarëve në këtë luftë, apo siç nuk ndiheni tashmë për procesin integrues të Shqipërisë, që me siguri, po erdhët në pushtet, do e quani “Atributin tuaj”. Largojuni të folurit në emër të popullit, por sillni njerëzit, që duhet të bëjnë ndryshimin! Tek e fundit, duket se do përsërisni sërish të njëjtën qeverisje, por me rrobë të ndryshme. Kuptohet po erdhët në pushtet. Politologu, historiani dhe diplomati Alexis de Touqeville, gati 200 vjet më parë e bënte këshillën për hapësira të tjera mendimi, por në thelb tek i njëjti fenomen: “Asgjë nuk është aq e parezistueshme sa pushteti tiranik që komandon në emër të popullit, sepse duke zotëruar fuqinë morale që i përket vullnetit të shumicës, vepron në të njëjtën kohë me shpejtësinë dhe këmbënguljen e një njeriu të vetëm”. Shqipëria, vërtetë s’është në tirani, por po kthehet në një vend të pashpresë, sepse njerëzit nuk kanë më hapësirë, ku fizikisht edhe aty ku janë ndryshe me bindje, të ndihen se mund t’i shërbejnë një qëllimi. Dhe, fatkeqësia e Shqipërisë, në dekadat e demokracisë, është se duket sikur gjithnjë drejton një njeri i vetëm me kinse mbështetjen e të gjithë njerëzve. Qoftë në pozitë, por edhe opozitë. (Homo Albanicus)
(BalkanWeb)