Kreu i PD, Sali Berisha, në një komunikim me mediat, foli mes të tjerash edhe në lidhje me protestën që do të mbahet sot në orën 17:00. Kryedemokrati ka ftuar qytetarët të jenë pjesë e tubimit, ndërsa ditën e sotme e quajti ditën e revoltës dhe mosbindjes civile.
“Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore.
Pensionistët e Shqipërisë sot marrin një pension të barabartë me 1 qen shtëpie në Gjermani, që paguhet 130 euro.
Është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria. Është protesta në emër të qindra mijëra fermerëve, të cilët janë fermerët më të diskriminuar të Europës, më të pambështetur, për të cilët në buxhetin e shtetit, ndonëse japin 20 përqind të prodhimit të brendshëm, ndonëse përbëjnë rreth 40 përqind të popullatës, janë parashikuar gjithsej 44 milionë euro.
Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri.
Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit. Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash. Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve”, tha ai.
Berisha shtoi se PD do të bëjë gjithçka për të arritur një nga synimet para zgjedhjeve të 2025, qeverinë teknike. Ai shtoi se qeveria teknike do të vendoset si institucion në Kushtetutë.
“Beteja vazhdon. Ashtu është, por tani ka një gjë ndryshe. Në qoftë se zotimi ynë se do mbrojmë votën e shqiptarëve, gjer para dy muajsh ishte zotim, tani për çdo shqiptar është e qartë se mbarë komuniteti ndërkombëtar ka dënuar farsën elektorale të Edi Ramës me tre rezoluta. Kështu që gjithçka është në kuadrin e votës. Do vazhdojë kjo betejë. Ne do bëjmë gjithçka për qeverinë teknike, duke e ofruar atë, duke e vendosur atë si institucion në Kushtetutë, në mënyrë që të mos jetë kjo jo vetëm për këtë radhë, por gjithnjë. E provuar në dy vende, në Greqi dhe më vonë në Maqedoninë e Veriut, ka dhënë rezultate shumë të mira.
Tani unë mendoj se do jem në disa pika, por ta shoh… Do u njoftoj unë patjetër”, tha ai.
(BalkanWeb)