Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për mediat nga selia e partisë, ku komentoi akuzat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Berisha filloi fjalën e tij duke theksuar se opozita, së bashku me qytetarët dhe protestat e tyre, ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxjerrjen në pah të lidhjeve të ngushta të njerëzve të pushtetit me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ai e quajti këtë një “përgjigje” ndaj atyre që ishin përpjekur të fshehin faktet dhe skandalet. “Nderim të madh qytetarëve protestues që po bëjnë në mënyrën më të shkëlqyer presion mbi prokurorinë dhe organet e drejtësisë, që po detyrojnë të vejnë përpara kriminelët dhe anëtarët e organizatës kriminale të Skapit,” tha Berisha.
Një tjetër pikë që Berisha ngriti ishte lidhja e Beqajt me skandalin e sterilizimeve, duke e akuzuar atë se ishte pjesë e një skeme korrupsioni, e mbështetur nga kryeministri Rama. “Që ditën e parë kur kanë marrë dosjen e sterilizimit, është vërtetuar se Ilir Beqaj ka 7 firma në proces dhe është njëshi i atij procesi,” tha Berisha, duke shtuar se ky skandal kishte qenë një nga ato që është fshehur nga publiku, për shkak të lidhjeve të forta të Beqajt me pushtetin.
Ish-kryeministri vazhdoi të shprehte keqardhjen se ky skandal nuk ishte trajtuar më parë siç duhet, dhe se dosjet ishin “falsifikuar” nga autoritetet. “Ata janë të pambyllshme. Nuk ka forcë në botë që mund t’i mbyllë ato. Do t’i sjell këtu dhe çdo gjë në kohën e duhur,” shtoi Berisha, duke lënë të kuptohej se opozita do të vazhdonte luftën për transparencë dhe drejtësi.