Makina tip “Volkswagen” e cila u shkrumbua nga flakët në fshatin Rrëmenj, raportohet se i përket ish-oficerit të krimeve Leonard Dervishllari.

Zjarri ka shpërthyer rreth orës 01:30 të natës dhe, sipas hetimeve paraprake, mjeti kishte qëndruar i parkuar pranë banesës së Dervishllarit për disa ditë.

Policia ka njoftuar se paraprakisht dyshohet që zjarri ka qenë aksidental, megjithatë grupi hetimor është angazhuar për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. Pjesë e hetimeve është edhe marrja e deklaratës nga vetë Dervishllari, i cili ka sqaruar se nuk ka pasur konflikte me askënd dhe nuk dyshon për askënd si shkaktar të incidentit. Ai ka theksuar se nuk beson që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.

Gjithashtu, raportet bëjnë me dije se përveç automjetit të Dervishllarit, janë dëmtuar pjesërisht edhe dy automjete të tjera që ishin të parkuara pranë tij.

Policia ka konfirmuar ngjarjen dhe ka dhënë këtë informacion: “Rreth orës 01:30, në fshatin Rrëmenj, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në automjetin tip ‘Volkswagen’, në pronësi të shtetasit L. D. Si pasojë, ky automjet është djegur plotësisht, dhe dy automjete të tjera të parkuara pranë tij janë dëmtuar pjesërisht.”

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e çdo faktori të jashtëm që mund të ketë kontribuar në ngjarjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb