Po mbahet mbledhja e Konferencë së kryetarëve, ku po diskutohet në lidhje me propozimin e PD për ngritjen e një komisioni hetimor për projektin e Portit të Durrësit.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi u shpreh se mazhoranca është kundër biznesit pasi jep tendera pa garë.

“Ne nuk jemi kundër biznesit siç ju thoni. E kundërta, ajo qe bëni ju është kundër biznesit. Jepni koncesione, tendera e leje pa gare. I jepni duke ngrenë qofte e mish në Tirane e Dubai. Ne jemi që ekonomia të jetë garë e konkurrueshmeri e jo shije e një personi apo në duart e 5 personave.

Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesimi për qytetaret dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre”, tha ai.

Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u shpreh se Parlamenti nuk mund të krijojë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese.

“Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar”, tha ai.

Fjala e plotë e Peleshit:

Në përgjigje të kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e:
•Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”;
•Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.;
•Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.

Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë.

Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar.

Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit. Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme.

Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.

Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb