Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar si të pavërteta deklaratat në media të kryetarit të PD, Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj është goditur nga efektivët te Pallati me Shigjeta.
“Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta”, thuhet në reagimin e Policisë.
Më tej në deklaratë theksohet se ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i cili ka goditur efektivët e Policisë.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.
Gjithashtu, Policia e Tiranës bën të ditur se ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, thuhet më tej.
(BalkanWeb)