Në emisionin Open në News 24 u diskutua në lidhje vendimin e qeverisë së vendit për të mbyllur Tik Tok. Analisti Dritan Hila tha se mbyllja e Tik Tok i duket një strategji e Ramës, që në këtë mënyrë fiton simpatinë e prindërve, që nuk duan që fëmijët e tyre të qëndrojnë në rrjete sociale.
Ndërsa, drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD Ilda Zhulali tha se mendon se mbyllja e Tik Tok është që të mbyllet e vërteta për qeverinë e Ramës. Sipas saj, Tik Tok është mbyllur në vende jodemokratike.
Ndërsa, koordinatori rajonal i PD për Tiranën Klevis Balliu tha se Rama po e mbyll Tik Tok, sepse ky rrjet social ia rrëzon propagandën.
Dritan Hila: Një zgjidhje do ishte që fëmijëve mos t’u lëmë celularët në dorë dhe nëse ua lëmë celularin në dorë, duhet t’ju kontrollojmë programet që shohin. Tik Tok është aplikacion ku mblidhet edhe gjithë llumi. E gjitha është strategji, me të cilin Rama fiton simpatinë e prindërve. Nuk është mbyllje hapësire publike, sepse kemi akoma Fb, kemi YouTube. Po ashtu, TikTok është problem mbarëbotëror.
Ilda Zhulali: Shqetësimin e z Rama e ka Afganistani, e ka Siria, Kirgistani, Uzbekistani. Është mbyllur në vende jodemokratike. Mbyllja e TikTok nuk e zgjidh problemin që kemi, dhunën në shkolla. Tik Tok thjesht është mjet komunikimi dhe nëse fëmijët nuk do kenë Tik Tok, do kenë SnapChat e rrjete sociale të tjera. Burimi i dhunës është narko-shteti shqiptar. Është kriminalizuar shoqëria. Të rinjtë janë trafikantë droge, përdorues droge. Rama do që të ndalojë të vërtetën për regjimin e tij.
Klevis Balliu: Ne nuk kemi problem Tik Tokun, por Ramë Tokun. Deputetët e kriminalizuar nuk i futi Tik Tok, por Edi Rama. Unë çuditem sesi një njeri mund të jetë aq njeri i keq, sa direkt pas një tragjedie, nuk mendon për një vogëlush që humbi jetën, por mendon si të mbyllë Tik Tokun. Pse bëhen kriminelë ky brez? Kjo sepse ky brez ka parë që trafikanti është i suksesshëm. Ndraghetat në Itali dënohen me vite të plota, ndërsa këtu bëjnë kulla. Tik Tok rrëzon propagandën e qeverisë. Kjo, sepse në Tik Tok nuk bën dot report, siç bëhet në Facebook. Tik Tok i nxori fytyrën e vërtetë të pushtetit Ramës. Bisedat e Enchro Chat dilnin në Tik Tok. Edi Rama ka urrejtje për arsimin, do veç krimin.
(Balkanweb)