Banka e Shqipërisë ka vijuar edhe gjatë muajit dhjetor blerjet e valutës në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave nga tregu, javën e kaluar Banka Qendrore bleu 15 milionë euro në ankandin e fundit të muajit dhjetor.
Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe dhjetë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej dhjetë milionë euro, me një kurs mesatar prej 98.41 lekësh.
Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej pesë milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka kryer edhe këtë muaj blerje të drejtpërdrejta të valutës, me qëllim frenimin e rënies së euros në kursin e këmbimit me lekun. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk i ka njoftuar shumat e blerjeve direkte, siç ka ndodhur në vijimësi gjatë këtij viti. Vlerat e blera në operacionet direkte nuk bëhen publike nga Banka e Shqipërisë deri në fundin e tremujorit pasardhës.
Edhe gjatë muajit dhjetor kursi i euros ka vazhduar të qëndrojë pranë vlerave minimale historike, pak sipër nivelit të 98 lekëve. Megjithatë, pritet që me rritjen e fortë të shpenzimeve buxhetore në ditët e fundit të muajit dhjetor, leku të pësojë një zhvlerësim të përkohshëm.
Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2025. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 270-350 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur me 20 milionë euro krahasuar me vitin 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm. Për vitin 2024, Banka e Shqipërisë ka një objektiv të shpallur blerjesh të valutës në intervalin midis 250 dhe 330 milionë eurove.
Gjatë vitit 2025, janë programuar gjithsej 22 ankande për blerje valute, që do të zhvillohen mes muajve shkurt dhe dhjetor. Siç ka ndodhur zakonisht në vitet e fundit, përqendrimi më i lartë i blerjeve parashikohet në sezonin veror, kur edhe oferta valutore është më e madhe. Sipas kalendarit, në muajt korrik dhe gusht do të zhvillohen përkatësisht tre ankande për blerje valute.
Shuma e planifikuar për të blerë në raundin e parë në secilin ankand do të jetë në intervalin midis pesë dhe dhjetë milionë eurove, shumë kjo e njëjtë me ankandet e vitit 2024. Megjithatë, rregulloret i lejojnë Bankës së Shqipërisë të kryejë edhe blerje në një raund të dytë, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë.
Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.
Sipas informacionit zyrtar të publikuar deri tani, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gati 272 milionë euro në tregun valutor, nga të cilat 134.2 milionë euro në ankandet e planifikuara për nevojat e rezervës valutore, ndërsa edhe më shumë, 137.6 milionë euro, janë blerë me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor.
Gjatë vitit 2024, vlerësohet se Banka e Shqipërisë ka realizuar blerjet më të mëdha të valutës në historinë e saj, si në formën e blerjeve të planifikuara për rritjen e rezervës valutore, ashtu edhe në blerjet direkte për të ndikuar nivelin e kursit të këmbimit euro-lek./Monitor