Një burrë është akuzuar për mizori ndaj kafshëve pasi dyshohet se ka qëlluar dhe vrarë 98 kangurë në Australi, sipas një deklarate të policisë.
Trupat e kafshëve, së bashku me kutitë e municionit dhe gëzhojat e harxhuara, u gjetën pranë qytetit Singleton në Luginën Hunter.
Në një deklaratë të hënën, policia australiane tha se një 43-vjeçar u arrestua dhe u akuzua për gjashtë vepra, duke përfshirë kryerjen e një akti të mizorisë së rënduar ndaj kafshëve dhe dëmtimin e një kafshe të mbrojtur.
43-vjeçarit iu dha lirimi i rreptë me kusht për t’u paraqitur në gjykatë më 13 janar. Deklarata e policisë nuk zbuloi motivet e mundshme të të dyshuarit.
Kangurët janë ndër kafshët më të njohura të Australisë. Marsupialët më të mëdhenj në botë janë kafshë të egra të mbrojtura sipas Aktit të Ruajtjes së Natyrës të vitit 1992.