Në Itali vijon të qarkullojë fuqishëm emri i Ardian Ismajlit, me qendërmbrojtësin kuqezi që është kthyer në objektivin kryesor të disa klubeve, por vetë mbrojtësi kuqezi ka zgjedhur Napolin për të vijuar karrierën. Ismajli është i bindur në këtë pikë, ka gjetur prej kohësh akordin me drejtuesit e Napolit, madje për t’u transferuar që në janar.
Empoli i ofrojë Ismajlit rinovimin e kontratës, në një kohë kur kontrata aktuale i përfundon në fund të këtij sezoni, por Ismajli e refuzoi. Në këto kushte edhe Empoli nuk do të bëhet pengesë për Ismajlin, por do të përpiqen t’i marrin më të mirën kartonit të tij në janar.
Objektivi kryesor i presidentit Corsi është të ruajë grupin me shpresën për të mbijetuar në Serie A, për këtë arsye është gati të pranojë edhe shkëmbimin me ndonjë lojtar në mënyrë që të mos e humbasin falas.
Sipas mediave italiane, Napoli i ka ofruar Empolit kartonin e Zerbin, një lojtar që Corsi e pëlqen shumë dhe e ka tentuar edhe në të kaluarën. Napoli kërkon me çdo kusht një mbrojtës të ri që në janar pasi Conte duhet të zëvendësojë edhe Buongiorno-n të dëmtuar.
Në këtë pikë, gjithë sipas mediave italiane, palët kanë gjetur akord total ndërsa zyrtarzimi i marrëveshjes pritet të bëhet menjëherë pas datës 2 janar, kohë kur hapet edhe merkato e dimrit.
(BalkanWeb)