Merkatoja dimërore po troket. I njohur si merkatoja e riparimeve, ku në përgjithësi e sidomos në vitet e fundit ndërhyerjet e skuadrave big në tregun e trtansferimeve të futbollistëve ka qenë me pikatore, sërish mediat në Itali bëjnë me dije se në këtë session mund të ketë lëvizje të rëndësishme.
Mbi të gjithë ai Paulo Dybala, mban ende në ankth tifozët romanistë. Rroga e tij e lartë dhe rendimenti jo gjithmonë konsistent mund të shtyjë drejtuesit kryeqytetas ta largojnë që tani. Vetë Ranieri theksoi pak ditë më parë se në skuadër kërkon vetëm lojtarë që dëshirojnë të luajnë për verdhekuqtë.
Emri tjetër i rëndësishëm është ai i sulmuesit holandez të Manchester United, Joshua Zirkzee. Edhe me ardhjen e Amorim ai sërish nuk po shikohet si zgjedhje e pare, ndaj rikthimi në Serie në formë huazimi të paktën deri në fund të sezonit mund të jetë një opsion i mirë për të gjithë. Napoli dhe Juventus do të ishin maksimalisht të interesuara për kryerjen e kësaj tratative.
Pas Kalulu, Juventus tenton t’i shkëpusë kuqezinjve një tjetër mbrojtës. Këtë herë bëhet fjalë për anglezin Tomori. Në Riad atje ku do të zhvillohet edhe Superkupa e Italisë me nisjen e vitit të ardhshëm, do të jetë momenti I duhur me të dyja klubet që do të ulen në bisedime për mbrojtësin kuqezi. Dëmtimet e Bremer e Cabal kanë shtyrë “Zonjën e Vjetër” tek Tomori, megjithëse tratativa nuk do të jetë aspak e thjeshtë.
Ndërkohë sulmuesi anglez Rashford, vijon të jetë akoma edhe më shumë larg Manchester United. Ai nuk është grumbulluar sërish në sfidën e fundit nga tekniku Amorim, i cili duket se nuk e ka pritur shumë mire intervistën e fundit të Rashford. Krisja mes palëve ka ndodhur dhe duket se Rashford po jeton ditët e fundit në Manhester.