Tashmë që 2024-a po mbyllet, mund t’i bëjmë një renditje rezultateve të ekipeve sa i përket këtij viti kalendarik, që është i ndërthurur në sezonet 2023-2024 dhe 2024-2025. Partizani dhe Vllaznia janë dy skuadrat që kanë grumbulluar më shumë pikë përgjatë këtij viti, me nga 64 secila.
Në këtë renditje të vitit kalendarik, të kuqtë janë të parët, të avantazhuar nga golavarazhi ndjeshëm më i mirë. Skuadra e drejtuar fillimisht nga Shehi e më pas nga Veselinoviç ka shënuar 51 gola dhe ka pësuar 28, duke qenë mbrojtja më e mirë mes skuadrave që kanë luajtur në të dyja sezonet. Në vendin e tretë renditet kampionia e dimrit, Dinamo, që në gjysmën e dytë të vitit ka rezultuar skuadra më stabël dhe produktive.
Vetëm vendi i katërt për kampionët në fuqi të Egnatias, që gjithsesi janë skuadra e vetme që kanë fituar tituj në 2024- ën, Kupën dhe titullin kampion, teksa pas tri ditësh diskutojnë Superkupën me Kukësin për të plotësuar një nga tripletat e rralla në futbollin shqiptar. Zhgënjimi më i madh quhet Tirana.
Bardheblutë po zhyten çdo ditë e më shumë drejt zonave të rrezikshme të renditjes dhe kjo ka bërë që ata të jenë ekipi që ka grumbulluar më pak pikë mes tetë ekipeve që nuk kanë rënë apo janë ngjitur në këtë vit. 47 golat e pësuar tregojnë për dobësi të mëdha në lojë dhe në stabilitetin që duhet të ketë një ekip si bardheblutë.