Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një konferencë për shtyp deklaroi se me protestën e djeshme u çlirua për tre orë kryeqyteti nga “narkoshteti”.

Kryedemokrati ka falënderuar çdo qytetar për pjesëmarrjen në tubimin e djeshëm, ndërsa shtoi se protesta ka tmerruar mazhorancën në pushtet.

“Sot jam para jush për të falënderuar përzemërsisht çdo qytetar që ditën e djeshme me mosbindjen e tyre civile çliruan kryeqytetin e Tiranës për 3 orë nga kthetrat e narkoshtetit.
Jam këtu gjithashtu për të përshëndetur përzemërsisht guximtarët Albin Cami, Julian Çela, Romario Bilo, Vlash Gjonaj, Arif Hoxha, Gëzim Sadikaj, Çlirim Kokaj, të cilët gjenden në qelitë e narkokomisariateve për revoltën e tyre të djeshme.
I garantoj se PD qëndron fuqishëm dhe me mirënjohje të pakufishme ndaj tyre.
Mosbindja e djeshme ka tmerruar gjer në palcë Edi Ramën dhe narkokraturën e tyre, prandaj dhe dje u panë shfaqje nga më të shëmtuara dhe nga më qesharaket nga mashtrues të paguar dhe kriminelë me uniformë.
Narkoshteti mbrëmë përdori mashtrues ordinerë, halucinante që shohin gra imagjinare shtatzëna që lindin në autobusë, mashtrim ky vulgar i përsëritur sa herë opozita zhvillon aksionin e saj.
Narkoshteti mbrëmë përdori patronazhistë qesharakë që indinjoheshin se u bllokuan rrugët e kreyqytetit tre orë, ndërkohë që çdo ditë, në kohë të caktuar, rrugët janë të bllokuara disa orë për shkak të Lal Vjedhësit dhe çrregullimit të madh të trafikut.
Narkoshteti mbrëmë përdori narkopolicinë me uniformë për të goditur deputetin, nënkryetarin e parlamentit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, duke e bërë atë për spital.
Për të tërhequr zvarrë protestues paqësorë që po zhvillonin revoltën e tyre të paralajmëruar.
Narkoshteti mbrëmë, i tmerruar, lëshoi nëpër studio altoparlantët dhe papagajtë e tij, opozitarët e opozitës për të deklaruar në panik se mosbindja civile nuk pati rezultate.
Por në fakt, prej këtyre mosbindjeve civile që ne kemi zhvilluar periodikisht, prej aksionit të parlamentit që kemi bërë gjatë vitit, prej protestave të përjavshme tek bashkia e Tiranës, prej qëndresës në 333 ditë në Rrugën e Shpresës, demokratet dhe demokratët kanë realizuar para Shqipërisë dhe shqiptarëve të pamundshmen dhe kjo ka terrorizuar, ka tmerruar qeverinë dhe opozitarët e opozitë”
, tha ai.

Berisha shton se falë mosbindjes civile është arritur të mbrojmë votën e shqiptarëve me tre rezoluta ndërkombëtare që kanë dënuar sipas tij qeverinë, ndërsa u ndal edhe tek zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ai deklaroi se më 11 maj opozita do të firmosë rotacionin e pushtetit dhe fitoren.

“Vetëm falë mosbindjes civile ne e rikthyem flamurin e PD.
Vetëm falë mosbindjes civile është arritur të mbrojmë votën e shqiptarëve me tre rezoluta ndërkombëtare që kanë dënuar narkoqeverinë e Tiranës, veçanërisht rezoluta e fundit e IDU, organizatë që kryesohet nga Partia Republikane që vjen në pushtet në SHBA më 20 janar të vitit që vjen.
Në këtë listë të sukseseve, së shpejti do realizojmë qeverinë teknike si një sukses i radhës i opozitës shqiptare dhe si një dëshmi e radhës për papagajtë e qeverisë dhe opozitarët e opozitarëve, se ato që duken të pamundura për ta, PD i bën plotësisht të mundshme.
Po kështu duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, me 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri.
Dua të falënderoj edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që morën pjesë në mosbindjen civile më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe në kushtet më të veçanta.
Dua të përshëndes përsëri të arrestuarit tanë në qelitë e diktaturës dhe t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor.
Faleminderit!”,
u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb